Maqedoni
Përgjimet, VMRO-DPMNE mbështet hetim të ri për vrasjen e Mlladenovit
07.05.2015 18:09
VMRO-DPMNE mbështet institucionet kompetente që të realizojnë një hetim të ri mbi rastin e vdekjes tragjike të gazetarit, Nikolla Mlladenov...

Kjo thuhet në reagimin e partisë së Gruevskit pas konferencës për media të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, në të cilën ai prezantoi materiale dhe dëshmi nga vdekja e Mlladenovit.
“Nuk kemi asnjë dilemë se në këtë rast është vepruar me përgjegjësi, por për shkak të nevojës së besimit të tërësishëm në procedurat dhe institucionet mbështesim hetim të ri, i cili do të mbikëqyret nga gazetarë, njerëz të familjes me përfshirjen e ekspertëve, siç jemi angazhuar çdo herë në periudhën e kaluar për epilog juridik”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Sipas VMRO-DPMNE-së, në konferencën e sotme Zoran Zaev përsëri publikoi materiale të prera dhe të krijuara, duke keqpërdorur në mënyrë klasike vdekjen tragjike të Mlladenovit.
Nga kjo parti thonë se nuk do të lejojnë që qytetarët të pranojnë këtë “psihozë” që po imponohet nga LSDM-ja.
VMRO-DPMNE apelon qytetarët që të dëgjojnë audio-incizimet dhe vetë të vijnë në përfundim dhe të binden në gënjeshtrat e Zoran Zaevit, thuhet midis tjerash në reagimin e VMRO-së.
MERAL ISMAILI
