Maqedoni
Tetovë, kallëzim penal për fshehje të tatimit
25.02.2025 14:18
Në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë, sot, Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal për pesë kompani...

Në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë, sot, Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal për pesë kompani, të cilët në periudhën prej vitit 2013 deri në 2023 ka dyshime për fshehje të tatimit. Sipas Policisë Financiare bëhet fjalë për pronarin me iniciale F. B. pronar dhe drejtues i disa kompanive në vend, por edhe kundër katër kompanive të tjera.
Pronari i kompanive, sipas Policisë Financiare dyshohet se ka transferuar mjete në bazë të huamarrjeve në llogari të tij dhe katër kompanive, të cilat më pas nuk janë evidentuar në bilancet tatimore dhe nuk janë shlyer pas skadimit të afateve ligjore. Sipas Policisë Financiare, kompania “Bibaj” ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 260 mijë euro.
“Me veprimet, i paraqituri i parë B.F. me qëllim që ta zvogëlojë obligimin tatimor për caktimin e tatimit të fitimit që të shmangë pagesën e tatimit, në emër, për llogari dhe në dobi të personave të paraqitur juridik, në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2023, nuk ka paraqitur, nuk ka llogaritur dhe nuk ka paguar tatim të fitimit sipas procedurës tatimore prej 10% në vlerë të përgjithshme 16 milionë denarë, për të cilën vlerë është dëmtuar buxheti.”, deklarojnë nga Policia Financiare.
Përndryshe fshehja e tatimit, sipas Policisë Financiare dënohet me ligj dhe se kompania “Bibaj” këtë veprim e ka bërë nëpërmjet kompanive “Bibaj Group Sh.P.K.”, e cila është e paraqitura e dytë në kallëzim, “Bibaj Sh.P.K.” e paraqitur e tretë, “Pro Tire Sh.P.K.” e paraqitur e katërt dhe “Raen Sh.P.K.” e paraqitur e pestë.
VISAR SADIKI
