Maqedoni

LSDM dorëzoi në Qeveri dokumente për punën e Mexhitit

25.02.2025 14:39

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka dorëzuar në Qeveri dokumentacion me të cilën sipas tyre dëshmohen keqpërdorimet dhe korrupsioni në Ministrinë e Ambientit Jetësor...

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka dorëzuar në Qeveri dokumentacion me të cilën sipas tyre dëshmohen keqpërdorimet dhe korrupsioni në Ministrinë e Ambientit Jetësor. Bogdanka Kuzeska nga kjo parti deklaroi se vendimi tashmë mbetet tek kryeministri, Hristijan Mickoski, që të vërtetojë situatën faktike.
 
“Sot po i dorëzojmë këto dokumente deri tek kryeministri, Hristijan Mickoski, për skandalin me zëvendëskryeministrin, Izet Mexhiti. Këtë po e bëjmë sepse vetë Mickoski apeloi që të gjithë ato të cilët kanë dokumente t’i dorëzojnë dhe ja, këto dokumente të cilat janë të institucioneve shtetërore. Këtu mund të shohim qartë se Inspektorati Administrativ ka konstatuar parregullsi në punën e kësaj ministrie dhe se vet Mexhiti ka tejkaluar autorizimin e tij zyrtar, duke i nënshkruar vet të gjitha dokumentet.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
Mexhiti: Janë spekulime dhe pretendime të rrejshme
 
Ndërkohë Ministria e Mjedisit Jetësor  hedh poshtë pretendimet e LSDM-së dhe BDI-së. Sipas tyre, paralajmërimet dhe vërejtjet për punën në zyrë dhe atë arkivore të shërbimeve në ministri nuk përbëjnë skandal dhe se bëhet fjalë për mbikëqyrje të rregullt dhe të vazhdueshme inspektuese. Vërejtjet e inspektoratit i referohen një praktike të futur në vitin 2017, thonë nga kjo ministri. Sqarimin e ka dhënë vetë Izet Mexhiti.
 
“Fillimisht ato reaguan se janë marrë ingerencat, përkundrazi ingerencat merren dhe përcaktohen sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Inspektorati i Ambientit Jetësor më herët ka qenë inspektorat autonom, ndërsa tash është pjesë e Ambientit Jetësor. Intenca e dytë është për të paraqitur një inspektim të rregullt të Inspektoratit Administrativ, që është inspektim i rregullt dhe i cili ka dhënë një sugjerim apo vërejtje, por jo për kompetencat, jo për shkelje ligjore, por për një praktik të vendosur më herët. Mirëpo këtë praktikë nuk e kam vendosur unë, por daton nga viti 2016.”, - theksoi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. 
 
VMRO-DPMNE: Jo me paralele mes Mexhitit dhe Grubit
 
Kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, LSDM duhet të bëjë paralele mes Mexhitit dhe Grubit.
 
“Asnjë monedhë e shpikur për Izet Mexhitin nuk mund të bëjë një paralele dhe as t'i shfajësojë ata nga faji që nuk e arrestuan Grubin nga frika e rënies së Qeverisë së tyre. LSD-ja është aq e zhytur në krim dhe korrupsion sa nuk mund të pastrohet pas vetes me asgjë që sajon.”, - thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
Ndërkohë Qeveria ka kontrolluar dhe hedhur poshtë spekulimet dhe pretendimet e pasakta të LSDM-së dhe BDI-së lidhur me punën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Siç njofton shërbimi për shtyp i Qeverisë, inspektimi i kryer nga Inspektorati Administrativ ka të bëjë me aspekte të veprimtarisë arkivore dhe nuk ka konstatuar veprime të kundërligjshme.
 
FITIM KRYEZIU