Kuvend, miratohen ndryshimet në Ligjin e konsumatorit, Trençevska: Shumica refuzoi t’u ndihmojë qytetarëve
Kuvendi miratoi plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit...

Kuvendi miratoi plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve. Me këto ndryshime shumica parlamentare pret transparencë më të madhe të çmimeve në tregje, përmirësim të konkurrencës dhe ulje të çmimeve.
Deputeti, Bojan Stojanovski, nga VMRO-DPMNE theksoi se ky ligj po miratohet me qëllim të mbrojtjes së standardit jetësor të qytetarëve. Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska, theksoi se këto ndryshime ligjore do të kontribuojnë edhe në konkurrencën e vetë tregtarëve.
“Ne do ta bëjmë atë për çfarë qytetarët na kanë votuar, e që është krijimi i masave që duhet të rrisin standardin e jetesës, pra të mbrojmë standardin e qytetarëve. Të gjithë do të pajtohemi se nuk është normale të kemi çmime në tregje ku janë më të lartat në nivel ballkanik. Nuk është normale që ne të kemi çmime më të larta në tregjet tona sesa në vendet përreth që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Por, shumë njerëz refuzojnë të kuptojnë se nuk do të jetë si më parë, ne kemi njoftuar se në këtë betejë do të ketë disa faza.”, - deklaroi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër, LSDM ka akuzuar se Qeveria me mospërkrahjen e propozimit për uljen e TVSh-së për energjinë elektrike po i le qytetarët të përballen me çmimet dhe faturat e larta.
“Kur sot apo nesër paguani një faturë të lartë të rrymës, kur duhet të paguani çmime të larta për ushqimin në supermarket, dijeni se për këtë ka arsye, më 24 shkurt, deputetët e VMRO-DPMNE-së, Lëvizjes “E di” dhe VLEN-it refuzuan t'ju ndihmojnë, ata refuzuan zgjidhjet ligjore të LSDM-së për uljen e TVSh-së në rrymë dhe heqjen e TVSh-së.”, - theksoi Jovanka Trençevska nga LSDM.
Me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, shitësit me pakicë janë të detyruar të publikojnë çmimet e produkteve në faqet e tyre të internetit, në mënyrë që konsumatorët të jenë më të informuar dhe ata që kanë më shumë se një dyqan janë të detyruar të publikojnë çmimet e mallrave individualisht për secilin nga dyqanet e tyre. (Fitim Kryeziu, TVM2)
