Maqedoni
BDI: Të hetohet epilogu i 1.2 milionë eurove në Çair
25.02.2025 15:10
BDI kërkon hetim të menjëhershëm në komunën e Çairit, për t’u parë se ku kanë përfunduar 1.2 milionë euro...

BDI kërkon hetim të menjëhershëm në komunën e Çairit, për t’u parë se ku kanë përfunduar 1.2 milionë euro, dyshim ky i trumbetuar nga kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Sipas Arsovskës, këto taksa të grumbulluara nga banorët e Çairit, nuk dihet se ku kanë shkuar. Integristët vlerësojnë se ky është keqpërdorim i fondeve të qytetarëve.
“Qytetarët e Çairit meritojnë një përgjigje të qartë:
Ku janë investuar këto para? Kush mban përgjegjësi për këtë skandal? BDI kërkon që institucionet përkatëse të ndërmarrin kontrolle të detajuara financiare për të sqaruar se si janë menaxhuar këto fonde dhe nëse ka pasur keqpërdorime.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
VLEN: BDI trillon lajme të rreme
Nga koalicioni VLEN thonë se BDI po jeton në gënjeshtra dhe trillon lajme të rreme. Ata nuk kanë reshtur me kundërakuza dhe kërkesa për veting ndaj figurave të larta të BDI-së pas dyshimeve që kanë ngritur për përfshirjen e tyre në korrupsion. Së fundmi kanë numëruar dështimet e BDI-së ndër 20 vite qeverisje sikurse mësimi në gjuhën shqipe në Çashkë, shtëpi shëndeti në çdo komunë, 20 mijë euro për çdo fermer të ri, largimin e kazinove 1 kilometër nga shkollat dhe akuzat për Ministrinë e Mjedisit.
“Kur s’kanë argumente shpikin lajme të rreme për 20 vite. Kjo klikë e funksionarëve të korruptuar ka përdorur çdo mjet për të mashtruar shqiptarët duke mbajtur pushtetin me frikë, kërcënime dhe gënjeshtra. 20 vite, 20 mijë gënjeshtra.”, - theksoi zëdhënësi i koalicionit VLEN, Fatmir Sabriu.
VLEN-i fton BDI-në që të merret me radhët e saj, përkatësisht Artan Grubin dhe Përparim Bajramin, se si u bënë milionerë brenda natës.
MERAL ISMAILI
