Maqedoni
Raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic, në Shkup: Dialogu konstruktiv me Bullgarinë jep zgjidhje
25.02.2025 15:28
Vaic, sërish ka potencuar përkrahjen e shtëpisë legjislative të Unionit për vendin tonë në aspiratat eurointegruese....

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vaic, sërish ka potencuar përkrahjen e shtëpisë legjislative të Unionit për vendin tonë në aspiratat eurointegruese. Në takim me kryesinë e koalicionit VLEN, Vaic ka motivuar bashkëfolësit për të vazhduar me rrugën që shpie në familjen e madhe evropiane. Siç theksohet në komunikatë, eurodeputeti Vaic ka informuar mbi përpjekjet që po bëhen për të zgjidhur sfidat ekzistuese me Bullgarinë dhe për ta orientuar debatin drejt një kompromisi të pranueshëm për të gjitha palët.
Mbështetjen që vazhdimisht e jep PE-ja për Maqedoninë e Veriut, vlerësohet nga ish-ambasadori, Nano Ruzhin, por sipas tij, më e zëshme duhet të jetë këshilli si organ vendimmarrës i Unionit. S’ka progres pa ndryshimet kushtetuese, potencon, Ruzhini.
“Sidoqoftë e dimë se Parlamenti nuk është faktor vendimmarrës. Gjithsesi fjalë të rëndësishme jep Këshilli i BE-së. Për këtë arsye procesi do të jetë i mbushur me kundërthënie derisa ne nuk do t’i zgjidhim problemet e shtëpisë. Mendoj se për ne edhe më tutje mbetet kushti pa të cilin nuk mund të lëvizet, që është ndryshimi i Kushtetutës.”, - deklaroi ish-ambasadori, Nano Ruzhin.
Zgjerimi i BE-së, Ruzhin: Ka marrë orientim gjeopolitik dhe gjeoekonomik
Njohurit e ish-diplomatit, Ruzhin, çojnë në mendimin se çështja e zgjerimit të BE-së ka marrë kahje gjeopolitike dhe gjeoekonomike, nëse i referohemi qasjes së saj ndaj Ukrainës, avancimi integrues i këtij vendi në konflikt, ngrit në pozicion edhe rajonin tonë, analizon Ruzhini.
“Kam përshtypjen se faktorët gjeopolitikë dhe gjeoekonomikë sikur luajnë rol më të madh në zgjerim sesa faktorët e korrupsionit, demokracitë problematike e tjera. Një gjë s’duhet harruar se nga zgjerimi i BE-së me territorin gjeopolitik, mendoj për Ukrainën dhe tjerat, Ballkani fiton një pozicion të mesëm, pra vetë ky pozicion na mundëson të vlerësojmë se perspektiva e vetme për RMV-në është integrimi në BE.”, - theksoi ish-ambasadori, Nano Ruzhin.
Procesi eurointegrues paraprakisht ka qenë temë bisedimi edhe në takimin e eurodeputetit Vaic me ministrin për Integrime, Orhan Murtezani. Në fokus, veç tjerash ka qenë edhe Agjenda Reformuese dhe Plani i rritjes së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si motor lëvizës i procesit eurointegrues. Murtezani ka siguruar eurodeputetin, Vaic, se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave kyçe në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik, thuhet në komunikatën e këtij dikasteri.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
