Zgjedhjet në Kosovë, nesër pritet të fillojë numërimi i votave nga diaspora
Numërimi i votave të dërguara nga diaspora...

Numërimi i votave të dërguara nga diaspora pritet që të fillojë të mërkurën. Ndërkaq, deri sot në orën 12:00 janë skenuar 890 lista përfundimtare të votuesve nga 2 mijë e 533 gjithsej.
Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se rreth 730 zarfe me fletëvotime nuk janë vlerësuar fare, për shkak se pritet skanimi i listave përfundimtare në përfaqësi diplomatike.
“Deri sot në orën 12:00 janë skenuar gjithsej 890 lista përfundimtare të votuesve nga 2 mijë e 533 gjithsej. Shprehur në përqindje i bie që listat përfundimtare të votuesve janë skanuar për 35.13 për qind të vendvotimeve. Nga 68 mijë e 712 zarfe të dërguara nga kutitë postare të KQZ-së, 62 mijë e 990 janë aprovuar, ndërsa 4 mijë e 865 zarfe janë refuzuar. Gjithashtu, kemi edhe 729 zarfe me fletëvotime, që nuk janë vlerësuar fare për shkak që për këto zarfe pritet skanimi i listave përfundimtare në përfaqësi diplomatike.”, tha Buzhala.
