Ukrainë, Parlamenti miraton rezolutë, zgjedhje kur “të sigurohet paqe gjithëpërfshirëse”
Parlamenti i Ukrainës ka miratuar një rezolutë....

Parlamenti i Ukrainës ka miratuar një rezolutë për të mbajtur zgjedhjet në vend kur “të sigurohet një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme” në vend, tha ligjvënësi Jaroslav Zhelezniak. Vendimi u mbështet me shumicë votash nga 268 deputetë, ndërsa 12 abstenuan, sipas ligjvënësit.
Rezoluta për mbështetjen e demokracisë në Ukrainë përballë agresionit rus përcakton se zgjedhjet nuk mund të mbahen nën ligjin ushtarak, duke theksuar nevojën për vazhdimësi të udhëheqjes aktuale.
“Presidenti rus Vladimir Putin është i vetmi përgjegjës për dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve të lira, transparente dhe demokratike në Ukrainë me pjesëmarrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë.”, thuhet në rezolutë.
Rezoluta vjen pasi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, e quajti presidentin, Volodimir Zelenski, një “diktator” në një postim në platformën e tij “Truth Social” më 19 shkurt, duke e akuzuar atë për refuzimin e mbajtjes së zgjedhjeve dhe duke përsëritur pretendime të rreme për luftën në Ukrainë.
