Botë
Kievi dhe Uashingtoni, marrëveshje ekonomike për mineralet e rralla
26.02.2025 09:50
Një zyrtar i lartë ukrainas tha se SHBA dhe Ukraina kanë rënë dakord...

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje ekonomike kornizë që do të përfshijë qasjen amerikane tek mineralet e rralla në Ukrainë, theksuan zyrtarë të lartë të Kievit.
Zyrtarët, të cilët kishin njohuri për këtë çështje, folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht. Njëri nga zyrtarët tha se Kievi shpreson se nënshkrimi i marrëveshjes do të sigurojë vazhdimin e mbështetjes ushtarake amerikane për të cilën Ukraina ka nevojë urgjente. Deri në publikimin e lajmit nuk ka pasur përgjigje nga administrata e presidentit Tramp në lidhje me një kërkesë për koment.
Marrëveshja mund të nënshkruhet të premten, ndërsa hartohen plane që presidenti Volodimir Zelenski të udhëtojë drejt Uashingtonit për një takim me presidentin Tramp, sipas një prej zyrtarëve ukrainas. Palët arritën përparime të rëndësishme gjatë vizitës treditore në Ukrainë javën e kaluar të gjeneralit në pension, Keith Kellog, i dërguari special i presidentit Tramp për Ukrainën dhe Rusinë.
Ideja u propozua fillimisht vjeshtën e kaluar nga presidenti Zelenski si pjesë e planit të tij për të fuqizuar Kievin në negociatat e ardhshme me Moskën.
