Botë

Bisedimet për paqe në Ukrainë, Ukraina dhe ShBA-ja bien dakord për mineralet

26.02.2025 14:44

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e një marrëveshjeje për minerale...

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e një marrëveshjeje për minerale, e cila konsiderohet kyçe në kuadër të përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Tramp, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Burime të afërta me zhvillimet kanë thënë se në të nuk përmenden garanci të sigurisë apo zotime për dërgim të mëtutjeshëm të armëve, mirëpo që Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të jetë “e lirë, sovrane dhe e sigurt”. Zelenski të premten do të udhëtojë për në Uashington për ta nënshkruar marrëveshjen 25-vjeçare.
 
“Kam dëgjuar se ai do të vijë të premten. Sigurisht që nuk kam asgjë kundër, nëse ai dëshiron këtë. E kuptoj që është një punë e madhe. Mund të jetë një marrëveshje trilion dollarësh. Pra, ne duam të jemi të sigurt. Dhe unë mendoj se populli amerikan – edhe nëse shikoni sondazhet – ata janë shumë të lumtur, sepse, e dini, Bajdeni po hidhte para si të ishin karamele. Ne duam t'i kthejmë ato para. Ne po ndihmojmë vendin në një problem shumë, shumë të madh që nuk duhej të ndodhte. Prandaj duhet ta rregullojmë. Tatimpaguesit amerikanë tani do t'i marrin paratë e tyre mbrapsht.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se është i interesuar që të blejë minerale edhe nga Moska, që kur presidenti rus Putin i ofroi mundësi ShBA-së për hulumtimin dhe gjetjen e përbashkët të mineraleve. Nga Kremlini thonë se po përgatiten për bisedime në nivel të lartë ekspertësh ndërmjet Rusisë dhe ShBA-së si vazhdim i takimit në Riad.
 
“Ekziston një mirëkuptim se takimi mes Trampit dhe Putinit duhet të ndodhë dhe po ashtu ekziston një mirëkuptim se duhet të jetë mirë i përgatitur. Në rrjedhë janë kontakte të nivelit të ekspertëve përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ashtu që së shpejti do të vijë deri te përgatitja e nivelit më të lartë. Nëse është e nevojshme mundet që të ketë bisedë telefonike mes presidentit Putin dhe Tramp. Dialogu është rivendosur.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. 
 
Edhe Bashkimi Evropian ka ofruar marrëveshje të tij për mineralet kritike për Ukrainën. Sipas Brukselit, 21 nga 30 minerale të rralla që i janë të nevojshme Evropës mund të sigurohen nga Ukraina, në partneritet që do të ishte në favor të të gjithëve. Më të kërkuarat janë titaniumi dhe litiumi, por 40% e territorit ku janë të mundura gërmimet janë të kontrolluara nga forcat ruse. Vlefshmëria e mineraleve të Ukrainës është llogaritur në rreth 12 trilionë dollarë.  
 
“Ne vlerësojmë thellësisht që partnerët tanë jo vetëm që po vazhdojnë mbështetjen e tyre, por edhe po e rrisin atë, duke na ndihmuar të arrijmë paqen më shpejt. Kjo paqe duhet të jetë e drejtë dhe të garantojë se agresioni nuk do të ndodhë më kurrë. Jemi duke u përgatitur në mënyrë aktive për takime, marrëveshje dhe negociata. Ukraina duhet të jetë e fortë që diplomacia të funksionojë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Presidenti francez nëpërmjet një video-konference i informoi liderët e BE-së për bisedimet e tij me presidentin amerikan, Tramp. Pas Makronit, në ShBA udhëton edhe kryeministri britanez, Starmer. Veçmë nuk flitet për paqeruajtësit evropian, por për çmilitarizimin e zonës mes Donbasit, pjesë e Krimesë dhe territori tjetër i Ukrainës.
 
BELINDA KOKA ADEMI