Ekonomi
Kredia hungareze, Filipçe: Për çfarë janë shpenzuar paratë?!
26.02.2025 14:54
Mjetet të cilat RMV-ja i ka tërhequr si kredia nga Hungaria, janë duke u shpenzuar për qëllime të ndryshme...

Mjetet të cilat RMV-ja i ka tërhequr si kredia nga Hungaria, janë duke u shpenzuar për qëllime të ndryshme, por jo për qëllimin për të cilën janë marrë, ka akuzuar lideri i LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas tij, informacionet më të cilat posedon LSDM-ja thonë se mjetet të cilat ishin të dedikuara për kompanitë, tanimë janë harxhuar, por për qëllime tjera, dhe pikërisht për këtë qëllim është ndryshuar ligji për bankat.
“Mendoj se Qeveria duhet të japë shpjegime, e ajo është se mjetet financiare të cilat ishin të destinuara për kompanitë nga kredia hungareze tanimë janë harxhuar për qëllime tjera dhe pikërisht për këtë qëllim është ndryshuar ligji për bankat, e ku për herë të parë në Maqedoni i lejohet Bankës Maqedonase për Zhvillim të marrë hua drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit dhe jo në institucionet ndërkombëtare të financimit, siç ishte praktikë deri më tani. Kjo nënkupton se të gjitha kompanitë të cilat do të aplikojnë për një kredi të tillë me kamata të ulëta, do të duhet të marrin mjete nga buxheti, ku ka mjete edhe nga burimet tjera, por jo nga kredia hungareze.”, - deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Mickoski: Mënyrat janë të përcaktuara saktësisht
Por, kryeministri Hristijan Mickoski, i cili përveç që i quajti si akuza të pabaza, ai akuzoi LSDM-në dhe liderin e saj se nuk i kanë të qarta edhe ligjet mbi të cilat ndahen këto mjete. Sipas Mickoskit, këto mjete të siguruara përmes linjës kreditore hungareze shpenzohen për qëllimin e synuar dhe se Qeveria ka miratuar një dekret që përcakton saktësisht mënyrat se si ato mund të përdoren, kështu që nuk ka bazë për spekulime për keqpërdorimin e tyre.
“Mund të thuhet gjithçka, por për ato duhet të ketë dëshmi, unë me informacionet të cilat i posedoj janë se vetëm në një bankë ka kërkesë për financim të projekteve në vlerë prej 180 milionë euro. Kur t’i mbledhim të gjitha bankat, kjo shumë shkon në më shumë se 350 milionë euro, që tregon se edhe këto 250 milionë euro do të jenë pak, dhe mund të na duhet të përdorim sërish miq dhe aleatë tanë jashtë Maqedonisë për një linjë të re krediti me norma interesi jashtëzakonisht të favorshme. Ne e shohim këtë si një mënyrë për të zhvilluar ekonominë.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski po ashtu ka theksuar se në baza ditore informohet edhe nga Odat Ekonomike se interesimi i kompanive është i lartë dhe se procedurat për marrjen e këtyre mjeteve janë shumë saktë të definuara, që nuk lënë hapësirë për keqpërdorim edhe sikur dikush të ketë dëshirë të bëjë një gjë të tillë.
FITIM KRYEZIU