Maqedoni

Ligji për Arsim të Mesëm tërhiqet nga procedura parlamentare

26.02.2025 15:35

Ligji për Arsimin e Mesëm është tërhequr nga procedura parlamentare, informoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska...

Ligji për Arsimin e Mesëm është tërhequr nga procedura parlamentare, informoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. Sipas saj,  ligji do të finalizohet dhe më pas do të kthehet në Kuvend. Lidhur me atë se çka parasheh ky ligj, Janevska tha se do të përmbajë ndryshime në konceptin e maturës, do të ketë arsim falas për ata fëmijë që janë në institucionet përmirësuese dhe ndëshkuese përmirësuese, por edhe arsim falas për fëmijët e kategorive të cenueshme.
 
“Ligji për Arsimin e Mesëm sot nuk kalon në Kuvend. E tërhoqa sot në mëngjes, Komisioni nuk do të mbahet. Ai ligj ende do të finalizohet dhe pastaj do ta kthejmë në procedurë. Do të ketë gjithëpërfshirje më të madhe, asistentë arsimorë në arsimin e mesëm, çmime për nxënësit e talentuar, por sigurisht një kategori tjetër, që është këshilltari profesional i shkollës. Ky është detyrimi ynë, sepse ndodh që fëmijët të devijojnë në disa profesione ku nuk kanë afinitete, për shkak të dëshirës së prindërve apo për rrethana të tjera.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Në pyetjen e gazetarëve se çfarë ndryshimesh do të ketë në provimin shtetëror të maturës, Janevska u përgjigj se do të vendoset edhe provimi shtetëror i gjimnazit, diplomimi në shkollën e artit dhe diplomimi shtetëror i artit.
 
“Provimi i maturës shtetërore do të ndryshojë për sa i përket asaj se çfarë do të jetë provimi i maturës shkollore – tregu i punës dhe provimi i maturës shtetërore profesionale, që do të thotë vazhdim në institucionet e arsimit të lartë, por në fushën dhe zonën përkatëse, si p.sh., dega mekanike në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Inxhinieria elektrike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Nëse duan të ndjekin një fakultet tjetër, për shembull në Fakultetin Ekonomik, atëherë do të duhet të japin provimin e maturës shtetërore. Do të ketë provimin shtetëror të gjimnazit, diplomimin e artit, por edhe maturën shtetërore të artit, që të mund të shkojnë në fakultetet e artit dhe provimin shtetëror që të mund të shkojnë në çdo fakultet tjetër. Dallimi është në materialin që studiojnë, sepse shkollat profesionale kanë më pak lëndë të arsimit të përgjithshëm.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Lidhur me mundësinë e rritjes së participimit që e paguajnë studentët, ministrja tha se një gjë e tillë aktualisht nuk po diskutohet.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI