Eurointegrimi i vendit, Vaic: Sofja të qartësohet se s’do të ketë kushte të tjera

26.02.2025 16:13

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian...

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vaic, thotë se marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes ndikojnë në procesin eurointegrues të vendit tonë.

Në intervistën për “Agjendën 35”, Vaic thekson nevojën e qëndrimeve të sakta nga organet vendimmarrëse të Unionit, por edhe nga Bullgaria, në mënyrë që të tejkalohen mosmarrëveshjet mes palëve dhe se s’do të ketë më kushte të tjera nga Sofja pos përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së.

Ndërkohë zgjerimi i BE-së me vende të reja aspirante, sipas eurodeputetit Vaic, është proces që kërkon kohë.

“Fakt është se derisa marrëdhëniet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë edhe pjesë e procesit negociues, do të na duhet deklaratë e qartë nga Komisioni Evropian dhe Këshilli. Po ashtu na duhet deklaratë edhe nga Qeveria bullgare se me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, çështjet bilaterale që duhet zgjidhur gjatë procesit aderues janë plotësuar, në mënyrë që të mos ketë kërkesa shtesë në raport me procesin aderues. Kur bëhet fjalë për raporte fqinjësore, ky proces është i gjatë.”, - deklaroi raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic.

Në takimin e së martës me kryesinë e VLEN-it dhe zyrtarët tjerë shtetëror, eurodeputeti Tomas Vaic ka informuar mbi përpjekjet që po bëhen për të zgjidhur sfidat ekzistuese me Bullgarinë dhe për ta orientuar debatin drejt një kompromis të pranueshëm për të gjitha palët.

Kohë më parë, nga Brukseli joformalisht, pa zbardhur detaje, është raportuar se menaxhmenti i ri i Unionit po angazhohet që të gjejë zgjidhje kreative, që do t’i përafronte dallimet fqinjësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)