Shkarkimi i Kocevskit, Filipçe: Mbështesim reformat, por jo partizimin
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i pyetur për miratimin qeveritar të vendimit për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski, deklaroi se partia e tij do të mbështesë të gjitha reformat që janë pjesë e Agjendës reformuese në përputhje me rekomandimet e BE-së, por jo edhe reforma devijuese që kanë për qëllim partizimin e sistemit gjyqësor.
Filipçe vlerëson se hapat e Qeverisë për reforma janë për personalitete dhe se nuk janë në vijë të konkluzioneve dhe rekomandimet e Misionit vlerësues të BE-së, Agjendës reformuese, si dhe planit për rritje që është përgatitur nga Qeveria LSDM -BDI dhe është nënshkruar nga qeveria aktuale.
“Ne si LSDM do të mbështesim gjithçka që ka të bëjë me reformat në gjyqësor, që është në kontekst të afrimit të gjyqësorit tonë me atë të BE-së. Gjithçka tjetër që është devijim nga ajo rrugë, praktikisht është tentim për partizim të gjyqësorit dhe prokurorisë. Vlerësoj se asnjë zgjidhje personale apo zgjidhje tjera gjithashtu personale në Këshillin Gjyqësor nuk nënkuptojnë reformë reale.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Shkarkimi i Kocevskit, Mickoski: Na duhet mbrojtës i drejtësisë
Sa i përket akuzave të LSDM-së se pushteti po bën partizim të organeve gjyqësore, kryeministri Mickoski theksoi se gjyqësori në qeverisjen e LSDM-së dhe BDI-së ishte i partizuar dhe me besim prej 2 për qind.
“Vetëm për shkak se thonë se Kocevski nuk duhet të ndryshohet, ne duhet të bëjmë të kundërtën, të bëjmë gjithçka që është në dorë për ta ndryshuar atë, sepse e dimë se çfarë mendojnë qytetarët për sistemin e drejtësisë nën stafetën e këtij koalicioni LSDM dhe BDI në të kaluarën, besimi është 2 deri në 3 për qind. Pra, pres që ky proces të përfundojë shpejt dhe me efikasitet, të zgjidhet një prokuror që do të jetë mbrojtës i drejtësisë, e jo mbrojtës i LSDM-së dhe BDI-së.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në seancën e fundit, Qeveria miratoi vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski, ndërsa paraprakisht grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së dorëzuan interpelancë ndaj 5 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi.
Sa i përket propozimit për shkarkimin e kryeprokurorit, i njëjti në afat prej 15 ditëve do të duhet të marrë mendim nga Këshilli i Prokurorëve, pasi fjalën e fundit do ta kenë deputetët. (Florije Kamberi, TVM2)
