Gjykata Kushtetuese, Kodi Zgjedhor kufizoi të drejtat e qytetarëve
Gjykata Kushtetuese me shumicë votash...

Gjykata Kushtetuese me shumicë votash mori vendim dhe nisi procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 17 dhe 18 të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që i referohen kushteve për paraqitjen e listave të kandidatëve të pavarur për deputetë dhe anëtarë të këshillit.
Kryetari Darko Kostadinovski tha se gjykata ka dyshime për kushtetutshmërinë e këtyre neneve, sepse sipas tij cenojnë vlerat themelore, siç janë sundimi i ligjit dhe pluralizmi politik, si dhe parimi i barazisë së qytetarëve.
Këto ndryshime sipas Kostadinovskit janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare që parashohin më së paku një vit para zgjedhjeve të mos bëhen ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor.
“Ndryshimet e censusit me nenet 17 dhe 18 janë bërë në një procedurë jotransparente dhe joadekuate, pasi që nuk bëhet fjalë për ndryshime teknike, por thelbësore që do të ndikojnë në të drejtat e qytetarëve, qasjen në funksionet publike. Nëse do të kandidohen për deputetë, këshilltarë, kryetarë komunash, është irelevante. Me këtë, sipas Gjykatës Kushtetuese shkelet siguria dhe parashikueshmëria juridike tek qytetarët që janë parime fundamentale për sundimin e ligjit.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Kostadinovski shprehu shpresën se ky vendim do të sjellë një ligjvënës më të disiplinuar kushtetues, sepse, siç theksoi, është shumë e rëndësishme se në çfarë mënyre dhe në çfarë procedure miratohen ligjet.
Sipas tij, nuk kontestohet e drejta e ligjvënësit për të rregulluar, por procedura duhet të jetë transparente dhe të respektojë parimet ligjore.
Sipas iniciatorëve të kësaj nisme, pragu për paraqitjen e listave të pavarura qytetare sipas këtyre neneve është rritur në mënyrë drastike në 1 për qind të elektoratit, gjë që, sipas tyre, shkakton një pozitë të pabarabartë të qytetarëve për t’u paraqitur në lista të pavarura për pjesëmarrje në zgjedhje. (Florije Kamberi, TVM2)
