Botë

Hamasi, bisedime për fazën e armëpushimit

27.02.2025 11:40

Grupi militant palestinez, Hamas, ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë për fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës...

Grupi militant palestinez, Hamas, ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë për fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës, pas shkëmbimit të fundit të katër trupave të pengjeve izraelite me mbi 600 të burgosur palestinezë.

Ky shkëmbim ishte i fundit në kuadër të fazës së parë të armëpushimit që përfundon këtë javë. Hamasi ka konfirmuar që mbi 600 të burgosurit palestinezë, të mbajtur në Izrael, janë liruar brenda natës, me shumicën prej tyre që ishin dënuar që nga fillimi i konfliktit në Gaza më 7 tetor të vitit 2023. Armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti dhe Katari, i kishte dhënë fund 15 muajve të luftës që filloi për shkak të sulmit të befasishëm të Hamasit në Izrael, nga i cili mbetën të vrarë 1.200 persona. Afërsisht 250 persona u morën peng dhe u dërguan në Gazë.
 
Faza e dytë e armëpushimit parasheh që të arrihet një armëpushim i përhershëm, me këmbimin e pengjeve të mbetura me të burgosurit palestinezë dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza. Ndërsa, faza e tretë dhe e fundit njëkohësisht, parasheh që të rikthehen të gjithë trupat e pengjeve të vdekur, si dhe të dakordohen kushtet për rindërtimin e Gazës.