Maqedoni
Trazohet Oda e Stomatologëve, ankohen delegatët e përjashtuar, Denkovski hedh poshtë akuzat
27.02.2025 14:41
Delegatë, stomatologë dhe profesorë të shquar po përjashtohen nga Oda e Stomatologëve me arsyetimin se kanë shkelur kodeksin...

Delegatë, stomatologë dhe profesorë të shquar po përjashtohen nga Oda e Stomatologëve me arsyetimin se kanë shkelur kodeksin. Një pjesë e delegatëve tani më të përjashtuar akuzojnë kryetarin aktual të kësaj ode, Marian Denkovskin, se përmes Gjykatës së Nderit, ai i largon kolegët nga të gjitha organet e kësaj ode, pa arsyetim ligjor, duke iu hakmarrë kolegëve të cilët më herët u janë kundërvënë vendimeve të kryetarit. Një pjesë e të përjashtuarve, të cilët u janë drejtuar Gjykatës Administrative, e kishin fituar gjyqin, ende nuk janë kthyer në vendet e tyre paraprake në këtë odë, thonë ata.
“Dr. Marjan Denkovski nis procese disiplinore kundër atyre që kanë mendim ndryshe nga ai para Gjykatës së Nderit, e cila merret me gjithçka përveç me detyrën që i është përcaktuar me ligjin për mbrojtje shëndetësore. Në odë mbretëron totalitarizmi dhe arbitrariteti i plotë, persekutohen anëtarët e shoqatave dhe delegatët, vendosen gjoba dhe dënime për të cilat nuk ka bazë ligjore, paraqiten raporte financiare në mënyrë joreale, eliminohen shoqata të caktuara dhe favorizohen të tjera.”, - deklaroi doc. dr. Amella Cana.
“Kryetari në fjalë ka larguar dy delegatë nga regjioni i Gostivarit me pretekstin se përse ato nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit. Bojkoti është e drejtë kushtetuese dhe legjitime nëse nuk dëshiron të marrësh pjesë. Ky përmes Gjykatës së Nderit i ka larguar ata të dy të cilët kanë mandate 5-vjeçare, kinse kanë bërë një pandershmëri.”, - theksoi specialisti ortodonti, Arben Emini.
“Unë jam një nga viktimat e Gjykatës së Nderit. Pa drejtësinë që më është bërë në Odën e Stomatologjisë e kam fituar në Gjykatën Administrative, ku për të dyja rastet kam fituar gjyqin, mirëpo për fat të keq, ata ende nuk janë zbatuar në Odën e Stomatologëve.”, - u shpreh stomatologu, Krume Çesnovski.
Kryetari i Odës Stomatologjike, Marian Denkovski, hedh poshtë akuzat e delegatëve të përjashtuar. Thotë se nuk është e vërtetë se janë përjashtuar pa bazë apo se po punohet në mënyrë totalitare arbitrare dhe joligjore.
“Unë po i kuptoj ata, sepse një pjesë prej tyre po punojnë në kundërshtim me ligjet e shtetit ku jetojmë edhe më pas ligjit për mbrojtje shëndetësore, aktet dhe nënaktet e Odës. Në këto momente nuk do të doja të komentoja më shumë, sepse disa procese janë në procedim, nuk e di se çfarë do të rezultojë. Andaj them se të gjitha gjërat që po ndodhin në Odën dentare duhet të zhvillohen në kuadër të respektimit të ligjeve dhe nuk mund të lejojmë të bëhen gjëra në mënyrë arbitrare.”, - theksoi kryetari i Odës Stomatologjike, Marian Denkovski.
Me marrjen e mandateve të delegatëve në Odën Stomatologjike u janë marrë të gjitha kompetencat dhe ata nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në asnjë mbledhje në organet e odës dhe përveç kësaj nuk mund të kandidohen për kryetar të Odës së Stomatologëve.
REXHEP QAMILI
