Ekonomi

Masa “Më pak kosto, më shumë për ju”, Qytetarët: Nuk është e mjaftueshme kjo ulje e çmimeve

27.02.2025 14:57

Inspektorati Shtetëror i Tregut këtë javë po kryen inspektime në masë për të parë nëse marketet dhe dyqanet po e respektojnë masën e kufirit të marzhës...

Inspektorati Shtetëror i Tregut me një kapacitet mbi 100 inspektorë, këtë javë po kryen inspektime në masë për të parë nëse marketet dhe dyqanet po e respektojnë masën e kufirit të marzhës. Në të njëjtën kohë, në vijim e sipër është një procedurë e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, e cila ka për qëllim të përcaktojë nëse katër supermarkete të mëdha, së bashku me Unionin e Odave të Tregtisë kanë bashkëpunuar për të ndikuar te çmimet. Nga ana tjetër, qytetarët janë të dëshpëruar nga masa e Qeverisë “Më pak kosto, më shumë për ju”. Sipas tyre, ulja e produkteve me 1 e 2 denarë nuk ua përmirëson standardin jetësor dhe shportën mujore.
 
“Vërejmë shumë pak, një pakicë të vogël te buka, te mielli, tjerat gjëra njëjtë janë. Për standardin tonë pensionet dhe rrogat tona nuk mundemi muajin ta kalojmë.”, - tha një qytetar.
 
“Diçka ka ulje të çmimeve, por nuk është ulje e çmimeve 1 deri në 2 denarë, sepse nuk mbushet kështu shporta mujore.”, - tha një qytetare.
 
“Asnjëfarë ndërrimi nuk kanë çmimet e njëjta politike si përpara dhe tash. Nuk është e mjaftueshme shkaku i standardit që e kemi ballkanik, ndërsa çmimet janë evropianë, në Evropë çmimet janë më të lira se te ne.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Duhet të ulen edhe më shumë çmimet.”, - u shpreh një qytetar.
 
Inspektorati i Tregut po kryen kontrolle, Mickoski: Dënim kush nuk e respekton ligjin
 
Marketet që nuk do të respektojnë masat për kontrollimin e çmimeve do të gjobiten. Kryeministri, Hristijan Mickoski, bëri të ditur se nuk do të lejojë “kartele” që nuk e respektojnë ligjin, duke iu referuar marrëveshjes që kanë pasur rrjetet e mëdha të marketeve për të koordinuar çmimet. Sa i përket dënimeve, sipas dispozitave të reja ligjore ato janë më të larta, e me të cilat parashihen gjoba nga 500 deri në 10 mijë euro, madje edhe mbyllje të objektit deri në 15 ditë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI