Maqedoni

Aksion policor në Shkup, u arrestua ish-drejtori i burgut të Shutkës

27.02.2025 15:25

Policia ka arrestuar ish-drejtorin e burgut të Shutkës, ish-komandantin në të njëjtin burg dhe të punësuar tjerë në burgje...

Policia ka arrestuar ish-drejtorin e burgut të Shutkës, Filip Andonov-Sokol, ish-komandantin në të njëjtin burg, Sashko Kërstevskin, dhe të punësuar tjerë në burgje, të cilët kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe kanë qenë pjesë e një rrjeti kriminal. Të gjithë janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe për mundësimin e arratisjes së të burgosurve dhe bashkëkryerje të veprave penale.
 
“Sektori për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në MPB, në koordinim me prokurorin publik nga Departamenti i Specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe anëtarë të policisë së burgjeve pranë Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, po kryen bastisje në disa lokacione në Shkup.”, - deklaroi Goce Andrevski nga MPB.
 
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thonë se aksioni është zhvilluar në disa lokacione të Shkupit dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për hetim të këtij rrjeti kriminal.
 
"Nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Departamenti i Posaçëm për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me pushtet policor dhe anëtarë të policisë së burgjeve pranë Prokurorisë Themelore për ndjekjen e krimeve të organizuara dhe korrupsionit, bazuar në një urdhër të gjykatësit të hetimit, oficerët e policisë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme po kryejnë kërkime në lokacione në Shkup. Informacione më të detajuara do të ofrohen më vonë gjatë ditës.", njoftoi Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
 
Filip Andov drejtoi burgun që nga viti 2020, por u shkarkua në korrik të vitit të kaluar pas konstatimeve për parregullsi nga Drejtoria e Ekzekutimit të Dënimeve. 
 
ARMEND MURSELI