Maqedoni

Pyetje deputetësh, Ajdari pyet për punësimet e shqiptarëve

27.02.2025 15:36

Çështja e punësimit të shqiptarëve në administratë ka zënë vend edhe në seancën për pyetje deputetësh....

Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, ka shfrytëzuar të drejtën e saj si deputete që të parashtrojë pyetje deri tek kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, që deri ku është çështja e punësimit të shqiptarëve në Administratën Publike, ashtu siç kishte paralajmëruar zëvendëskryeministri, Mexhiti. 
 
“Zotëri kryeministër, a është Administrata Publike institucion shtetëror apo skenë e teatrit, ku secili aktorë shpik rolin e vet për nevoja elektorale. Nëse i besojmë Mexhitit, mijëra punësime për shqiptarët janë rrugës. Por, nëse i dëgjojnë ministrat tjerë të Qeverisë, fjalët e zëvendëskryeministrit na dalin se na qenkan thjesht një mashtrim për pikë të ulëta politike. Nëse punësimet e premtuara nuk janë as të planifikuara, as të financuara e as të miratuara nga institucionet përkatëse, atëherë pyetja e vetme që mbetet është: Kë po gënjeni?!”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
 
Mickoski: Të rinjtë s’punojnë për 25 mijë den
 
Por, sipas kryeministrit Mickoski, BDI prapë po mundohet që përmes temave etnike të krijojë një pakënaqësi tek shqiptarët kundër kësaj Qeverie, ndërsa realiteti është krejt ndryshe. Sipas Mickoski ka shumë konkurse të vendit, të cilat mbesin të zbrazëta, sepse të rinjtë nuk kanë interesim të punësohen në administratën shtetërore për një pagë rreth 25 mijë denarë.
 
“Nëse punët i shohim si shtetërore, atëherë shteti do të na ecë përpara, por nëse secili etnikum kthehet ka vetja dhe të gjitha punët i sheh nga optika nacionale, do të vijmë një ditë ku nuk do të flasim për Maqedoninë si shtet unitar. Problemi kryesor është se ne sot kemi problem të gjejmë persona që duan të punojnë në Administratën Shtetërore. Pra, kemi konkurse të hapura dhe lusim persona të punësohen, por nuk duan. Unë dua të punësohen të gjithë dhe nuk jam rob i përqindjeve, por vetëm kërkoj kuadro kualitative, që duan të punojnë, por nuk lajmërohen, nuk ka interes.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Andovski: Punësimet, sipas cilësisë
 
Ajdari pyeti ministrin e Shëndetësisë se sa shqiptarë janë punësuar dhe sa janë larguar nga klinikat e vendit. 
 
“Në Ministrinë e Shëndetësisë përqindja e shqiptarëve është mbi 60 për qind, po ashtu dua t’ju bind se punësimet do të realizohen edhe atë deri në fund të muajit, por përzgjedhja do të bëhet në bazë të kualitetit, kompetencave dhe përgjegjësive dhe nuk do të shihet përkatësia e tyre etnike apo partiake. Po ashtu edhe në Këshillat Drejtues të Klinikave dhe shtëpive të Shëndetit, çdo kund kemi shqiptarë dhe nuk e di prej nga ky informacion se s’ka shqiptarë.”, - u shpreh zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski.
 
Kryeministri i vendit, po ashtu përmendi se punësimi do të bëhet përmes ligjit të ri për përfaqësim adekuat, ku korniza e ligjit ka qenë gati që para vitit të ri dhe ky ligj sipas Mickoskit, do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe jo t’u japë mundësi partive politike që punësimet t’i shndërrojnë si partiake.  
 
FITIM KRYEZIU