Rajon
Lezhë, vendoset shtatorja monumentale e Skënderbeut
27.02.2025 16:26
Një shtatoreje gjigande 3,7 metra e lartë e Skënderbeut do të zbukurojë lulishten e qytetit të Lezhës...

Figura e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është përjetësuar në qytetin e Lezhës, përmes një shtatoreje monumentale gjigante 3.7 m e lartë dhe peshë 800 kg. Pas 7 vitesh pritjeje, vepra e skulptorit, Ardian Pepa, u vendos në lulishten e qytetit përballë vendvarrimit të Gjergj Kastriotit.
Skulptori, Ardian Pepa, shpjegon se përmes kësaj shtatoreje ka paraqitur Gjergj Kastriotin në moment të rëndësishëm historik, kur mblodhi princat shqiptarë më 2 mars të vitit 1444.
Shtatorja e Gjegj Kastriotit ishte planifikuar të vendosej në vitin 2019 në sheshin që mban emrin e heroit, por u bë pengesë Ministria e Kulturës, pasi zona ishte pjesë e parkut arkeologjik. Tashmë ngërçi është zgjidhur dhe shtatorja e financuar nga Bashkia e Lezhës me vlerë 10 milionë lekë u vendos në vendin që meriton.
LULJETA NDOKA
