Botë
Ukrainë, vijojnë bisedimet për vendosjen e paqes
27.02.2025 16:49
Ukraina mund të harrojë anëtarësimin në NATO, tha Trampi, i cili po përgatitet për vizitën e homologut të tij ukrainas...

Ukraina mund të harrojë anëtarësimin në NATO, tha Trampi, i cili po përgatitet për vizitën e homologut të tij ukrainas, Zelenski, në Uashington. Ai bëri të ditur se në takim duhet të nënshkruhet një marrëveshje për mineralet e rralla që do të lidhë ngushtë dy vendet në vitet në vijim.
Ndërkohë, Zelenski theksoi se suksesi i marrëveshjes do të varet nga bisedimet, duke theksuar se garancitë e sigurisë për Kievin ende nuk janë vendosur.
“Të paktën kam kërkuar mirëkuptim për këtë, është e gjitha pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë. Prandaj, edhe në kuadër të marrëveshjes, doja të dilte të paktën një fjali që garantonte sigurinë e Ukrainës. Kjo marrëveshje mund të jetë një sukses i madh ose mund të zhduket në heshtje.", - deklaroipresidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Trampi pohon se Shtetet e Bashkuara do të kenë një rol të kufizuar, por është Evropa ajo që duhet të sigurojë garanci për sigurinë për Ukrainën.
“Ne do t'ia lëmë këtë Evropës, sepse Evropa është fqinji i tyre. Por, do të sigurohemi që çdo gjë të shkojë pa probleme dhe, siç e dini, ne do të jemi partnerë me Ukrainën për mineralet e rralla të tokës për të cilat me të vërtetë kemi nevojë e që ukrainasit i kanë ato.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ndërkohë, në Stamboll raund i ri i bisedimeve mes Uashingtonit dhe Moskës. Nga Kremlini thonë se dialogu me ShBA-në mund të vazhdojë, por se nuk presin vendime të lehta dhe të shpejta, duke shtuar se për vendet e aneksuara ukrainase nuk mund të negociojnë.
“Askush nuk pret që vendimet të jenë të lehta dhe të shpejta. Kemi një problem kompleks dhe të neglizhuar në agjendën tonë, por nëse vazhdon vullneti i tillë politik i dy shteteve dhe nëse kemi gatishmëri që ta degjojmë njëri-tjetrin, mendoj se do të mund të kalojmë nëpër këtë proces.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Trampi pranoi se ka rreziqe dhe mundësi që marrëveshja e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës të dështojë. Në të njëjtën kohë në Paris hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet gjermano-franceze. Në takimin tre orësh Makron-Merz janëdiskutuar gjithashtu edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
BELINDA KOKA ADEMI
