Botë
Dënimi i Dodikut, DASh-i kundër çdo veprimi që minon sigurinë e Bosnjë e Hercegovinës
27.02.2025 17:35
Departamenti amerikan i shtetit kundërshton çdo veprim të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë...

Departamenti amerikan i shtetit kundërshton çdo veprim të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë, që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.
Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësja e DASh-it, Tami Brus, pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, MilloradDodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit.
“Shtetet e Bashkuara kanë investuar për dekada për një Bosnjë e Hercegovinë stabile. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës.”, shkroi në X, zëdhënësja e DASh-it, Tami Brus.
Dodiku është futur dy herë në listën e zezë amerikane, për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995. Më 26 shkurt, Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë shqiptoi dënimin ndaj Dodikut për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, KristianShmid.
Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, MilloshLlukiq, u lirua nga akuzat.
