Maqedoni
Komiteti i përzier parlamentar i BE-së dhe RMV-së në fokus, zgjerimi i BE-së dhe reformat
27.02.2025 17:58
Zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në prioritetet më të larta të agjendës evropiane...

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në prioritetet më të larta të agjendës evropiane, u tha gjatë hapjes së punimeve të Komitetit të Përzier Parlamentar.
Eurodeputeti Karlo Resler inkurajoi Maqedoninë e Veriut që të ndërtojë dialog dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërsa i bëri thirrje faktorit politik në vend që të vazhdojë me reformat që do ta përafrojnë vendin me BE-në.
"Pas 20 vitesh me statusin e vendit kandidat për Maqedoninë e Veriut, jemi dëshmitarë të një ndryshimi në gjeopolitikë, ku zgjerimi rikthehet në agjendën e institucioneve më të larta evropiane. Vetë situata gjeopolitike e vendos këtë çështje në një pozitë të lartë. Kemi një instrument në Ballkanin Perëndimor, i cili është i rëndësishëm për agjendën reformuese, por nuk duhet të ndalemi këtu. Duhet të shfrytëzojmë mundësinë dhe të vazhdojmë me reformat”, u shpreh eurodeputeti Karlo Resler.
Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, theksoi se qeveria po vazhdon me reformat, por nga ana tjetër, ekziston me të drejtë një zhgënjim në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut për sa i përket procesit të integrimit evropian.
"Qytetarët e Maqedonisë mbeten të përkushtuar ndaj rrugës evropiane, pavarësisht sfidave dhe zhgënjimeve nga ky proces. Por sot na duhen hapa konkretë, e jo vetëm deklarata. Është koha që fjalët të bëhen vepra. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë prioriteti ynë, por ato nuk janë përgjegjësi vetëm e njërës palë. Ato kërkojnë respekt të ndërsjellë. Çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për rrugën tonë drejt BE-së”, theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Edhe ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, bëri thirrje që BE-ja ta vendosë çështjen e zgjerimit në prioritetet e saj më të larta.
"Procesi i zgjerimit nuk guxon të mbetet një çështje dytësore. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe integrimi i tij do ta fuqizojë atë. Ndryshimet globale e bëjnë procesin e zgjerimit edhe më emergjent”, u shpreh ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Komiteti i Përzier Parlamentar është themeluar në vitin 2004 në bazë të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Ai paraqet një forum ku anëtarët e Kuvendit të RMV-së dhe Parlamentit Evropian këmbejnë përvoja, mendime dhe qëndrime për përforcimin e partneritetit të ndërsjellë. Komiteti mblidhet dy herë në vit: një herë në Kuvendin e RMV-së dhe një herë në Parlamentin Evropian.
ERSAN PAJAZITI
