Maqedoni
Kreu i BFI-së me mesazh për besimtarët myslimanë: Ramazani të sjellë paqe në mbarë botën
28.02.2025 11:21
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetai, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit...

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetai, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit ka dërguar mesazh për besimtarët myslimanë. Fetai thotë se agjërimi nuk është vetëm një akt i privimit nga ushqimi dhe pija, por një udhëtim shpirtëror që na ndihmon të formojmë vetëdijen tonë për të mirën.
“Ky muaj i madhërishëm na kujton rëndësinë e agjërimit, përulësisë dhe veprave të mira, duke na udhëhequr drejt një pastrimi shpirtëror e fizik. Agjërimi nuk është vetëm një akt i privimit nga ushqimi dhe pija, por një udhëtim shpirtëror që na ndihmon të formojmë vetëdijen tonë për të mirën, për të forcuar lidhjen me Allahun Fuqiplotë dhe për të kultivuar ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. Në këtë muaj të dijes dhe urtësisë, le të kërkojmë dituri dhe të thellojmë kuptimin tonë përmes leximit dhe reflektimit. Ramazani është gjithashtu një mundësi për të forcuar lidhjet mes nesh, për të ushtruar tolerancën, mëshirën dhe humanizmin. Ai na fton të jemi më të dashur, më të kujdesshëm ndaj njerëzve e sidomos ndaj atyre që kanë nevoja të veçanta dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të paqtë. Lusim Allahun e Madhëruar që ky muaj të sjellë paqe në zemrat tona dhe në mbarë botën. Lutemi për ndërprerjen e çdo konflikti dhe për fundin e vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm. Le të jetë ky muaj një periudhë e pajtimit, e faljes dhe e afrimit me njëri-tjetrin. Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja.”, ka shkruar Fetahu.
