Botë

Zelenski mbërrin në Uashington, pritet të nënshkruajë marrëveshje për mineralet

28.02.2025 11:45

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka mbërritur në Uashington...

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka mbërritur në Uashington, ku pritet të nënshkruajë një marrëveshje të rëndësishme për mineralet me presidentin amerikan, Donald Tramp. Zelenski kërkon që çdo marrëveshje të përfshijë garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, por pardje ai tha se garanci të tilla ende nuk i janë ofruar.
 
I pyetur nëse ai do ta braktiste marrëveshjen nëse Donald Tramp nuk do t’i ofronte atij garancitë që donte, Zelenski u përgjigj: “Nëse nuk marrim garanci sigurie, nuk do të kemi armëpushim, asgjë nuk do të funksionojë, asgjë!”.
 
Trampi ka theksuar vazhdimisht se ShBA-ja nuk do të japë garanci sigurie, duke argumentuar se kjo është përgjegjësi e Evropës. Por, ai shtoi se prania e punëtorëve amerikanë në tokën ukrainase do të nënkuptonte “siguri automatike”.
 
Në një konferencë për shtyp me kryeministrin britanik, Keir Starmer, dje, Trampi tha se ishte “i hapur për shumë gjëra”, por se ai së pari donte të arrinte një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës përpara se të vendoste për masat e sigurisë për ta siguruar atë.