Maqedoni

DAP-i promovon shërbim të ri elektronik

28.02.2025 14:14

Drejtoria e të Ardhurave Publike promovoi shërbim të ri elektronik me të cilin nuk do të ketë më pritje të gjata në sportele....

Drejtoria e të Ardhurave Publike promovoi shërbimin e ri elektronik për marrjen e certifikatave për të ardhurat e realizuara. Tani e tuje të gjithë obliguesit tatimorë dhe personat e huaj me qëndrim të rregulluar në RMV, të cilët janë regjistruar në ueb faqen e DAP-it do të mund të nxjerrin këtë dokument pa shkuar fare nëpër sportele, thjesht përmes vetëm një kliku elektronik.
 
“Këtë shërbim DAP-i e mundësoi duke i shfrytëzuar teknologjitë bashkëkohore, i njëjti është hyrje në shërbimet e reja tatimore në këtë institucion. Ky shërbim është pa kontakt fizik, pa kyçjen e të punësuarve, e bazuar në shkëmbimin e të dhënave me sisteme në kohë reale, ndërsa rezultati është dokument elektronik i cili plotëson të gjitha kushtet e nevojshme në pajtueshmëri me ligjin dhe rregulloren adekuate.”, - deklaroi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
 
Nga DAP-i po ashtu sqarojnë se krahasuar me vitin 2024, këtë vit ka pasur grumbullim më të mirë të të ardhurave.
 
“Unë shoh që ka një grumbullim më të ulët të tatimit mbi të ardhurat e fitimeve nga lojërat e fatit dhe tatim për pagesën e dividendëve, por kjo nuk është diferenca domethënëse, andaj themi se duhet të presim. Në përgjithësi, komponenti kryesor i tatimit mbi të ardhurat personale është tatimi mbi pagat dhe këtu arkëtimi është më i mirë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.”, - theksoi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
 
Nga DAP-i po ashtu thanë se deri në këto momente nuk ka ndalesë në lidhje me pagesat e kthimit të parave nga “TVSh-ja ime”. Sipas tyre, çdo gjë shkon në mënyrë të rregullt, vetëm se u bëjnë thirrje obliguesve tatimorë të bëjnë përditësimin e duhur të të dhënave të tyre.  
 
REXHEP QAMILI