Maqedoni

Shkarkimi i Kocevskit, propozimi s'ka arritur në Këshillin e Prokurorëve

28.02.2025 14:32

Këshilli i Prokurorëve ende nuk e ka marrë propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Kocevskit....

Propozimi i Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski, akoma nuk ka arritur në Këshillin e Prokurorëve, njoftoi kryetarja e Këshillit, Dushica Dimitrievska. Ajo edhe kësaj radhe nuk dha detaje për mediat se cili është fushëveprimi dhe procedurat e mundshme të Këshillit në këtë rast.
 
“Në fillim të pranojmë propozimin, t’i shohim akuzat të cilat janë shënuar e më pastaj do të deklarohemi. Do të veprojmë ashtu siç është e paraparë me ligj. Pa e parë propozimin nuk mundem të përgjigjem.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska.
 
Ndërkohë Këshilli nuk vendosi për kërkesën e prokurores, Natasha Kërstevska Caleva, që të largohet nga pozita e udhëheqëses së Prokurorisë së lartë në Shkup. Kërstevska Caleva në këtë pozitë erdhi pas suspendimit të kryetarit të saj, Mustafa Hajrullahi, me propozim të kryeprokurorit, Kocevski, dhe pikërisht zgjedhjen e saj Qeveria e vlerësoi si joligjore, pas çka filloi edhe procedura për shkarkimin e kryeprokurorit, Kocevski.
 
“Vendimi me të cilën është zgjedhur të udhëheqë prokurorja publike me Prokurorinë e Lartë në Shkup ka qenë i miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët e Këshillit, për këtë arsye duhet të jemi në përbërje të plotë që të sjellim vendimin për kërkesën e prokurores. Ajo mbetet në funksion, sepse vendimi i Këshillit është se ajo duhet të udhëheqë me Prokurorinë e Lartë në Shkup deri sa zgjat procedura për Prokurorinë e Lartë.”, - theksoi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska.
 
Në seancën e mbajtur më 25 shkurt, Qeveria miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik, Ljupço Kocevski. Propozimi pritet  t'i dërgohet Këshillit të prokurorëve publikë, i cili ka 15 ditë për të dhënë mendim. Nëse Këshilli nuk ka mendim, konsiderohet se nuk e mbështet propozimin. Më pas, Qeveria ia paraqet propozimin Kuvendit për vendim përfundimtar.
 
FLORIJE KAMBERI