Maqedoni
LSDM kërkon dorëheqjen e ministres, Koçoska
28.02.2025 15:02
Grupi parlamentar i LSDM-së ka kërkuar dorëheqjen e ministres së fi-nancave Dimitrieska-Koçoska...

Grupi parlamentar i LSDM-së para Ministrisë së Financave ka kërkuar dorëheqjen e ministres, Dimitrieska Koçoska, për shkak të, siç thonë ata, fyerjeve të drejtuara ndaj koleges së tyre partiake, Slavjanka Petrovska. Ata i quajtën fjalët drejtuar Petrovskës çnjerëzore, diskriminuese dhe të turpshme.
“Një ministër që poshtëron një qytetar të këtij vendi, që fyen një deputet, që përhap diskriminim, nuk e meriton të drejtojë një ministri, nuk e meriton të ulet në një qeveri që pretendon se punon për të gjithë qytetarët. Prandaj, sot jemi këtu për të kërkuar me zë të lartë dhe qartë – Gordana Koçoska duhet të japë dorëheqjen. Do të kërkojmë dorëheqjen e saj çdo ditë derisa të largohet nga detyra. Vetëm kështu mund t'i mbrojmë qytetarët nga diskriminimi në të ardhmen.”, - deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
Dimitrieska Koçoska: Nuk kam pasur qëllim të ofendoj askënd
LSDM pyet pse nuk ka reagim nga nënkryetarja e Kuvendit, Bendevska, e cila ishte pjesë e Komisionit për mbrojtje dhe parandalim të diskriminimit. Por, ndaj akuzave të LSDM-së ka reaguar vet ministrja, Dimitrieska Koçoska, e cila thotë se e kupton histerinë që po përhap LSDM-ja rreth duelit politik në Kuvend me deputeten e kësaj partie, Slavjanka Petrovska. Koçoska thotë se asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka ndërmend ta ofendojë personalisht dhe as ta reduktojë debatin në një kontekst personal.
“Unë jam një person nga i cili nuk do të dëgjoni kurrë ofendime personale dhe më vjen keq që një pjesë e publikut është manipuluar në atë kontekst dhe më vjen keq që fjalët e mia janë keqkuptuar. Sa i përket fjalëve të mia ndaj Slavjanka Petrovskës, të cilën personalisht e kam mbrojtur si grua kur e kanë sulmuar shumë të tjerë, janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë interpretuar si fyerje personale. Çdo paraqitje e saj mbahet mend për faktin se pas çdo dueli paraqitej si viktimë për diçka.”, shkroi në reagimin e saj ministrja, Dimitrievska Koçovska.
Gashi: Të respektohet kodi etik i deputetëve
Ndaj këtij zhargoni i cili është përdorur në foltoren e Kuvendit, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sipas të cilit, deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm se kë prezantojnë dhe sjelljet e pahijshme nuk kanë vend në Kuvend.
“Çdoherë u bëj thirrje që të ngrihet kultura politike dhe respektimi i kodit etik të deputetëve. Të gjithë deputetët duhet të kujdesen për kredibilitetin e Kuvendit. Qëndrimet tona politike dhe dallimet mund t’i themi edhe pa ofenduar dikë, jemi duke biseduar për ta sjellë një kod të ri etik të deputetëve dhe sjelljet si ato të djeshme janë të shëmtuara për Kuvendin.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Të gjitha këto debate të ashpra ishin pjesë e debatit të ditës së enjte në Kuvend, ku në rend të ditës ishin pyetjet e deputetëve.
FITIM KRYEZIU
