Maqedoni

Eurointegrimet, Gashi: Shpresojmë të tejkalojmë kontestin me Bullgarinë

28.02.2025 15:15

BE-ja me pozitivitet po shqyrton zgjerimin e saj...

BE-ja me pozitivitet po shqyrton zgjerimin e saj. Tek eurodeputetët, që për momentin po qëndrojnë në vendin tonë, ekziston një klimë pozitive, vlerëson kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pas takimit me Komitetin e përzier parlamentar BE-RMV. Megjithatë, Gashi tha se problemi vazhdon të qëndrojë te kontesti me Bullgarinë, ndërsa shpreson që kjo çështje të tejkalohet me dialog me Qeverinë e re në Bullgari. 
 
“Është një derë e hapur dhe mundësi e hapur për të filluar negociatat. Siç e dini kemi ngecur tek elementi i zgjidhjes së problemit mes RMV-së dhe Bullgarisë. Po kërkojmë një mënyrë që ta sigurojmë procesin që edhe pas ndryshimeve kushtetuese mos të na ngritin veto apo çështje të tjera të ngritura që kanë të bëjnë me çështjet identitare që jemi të bindur të gjithë që do të jenë rëndë të zgjidhshme. Prandaj, besoj se me Qeverinë që e ka Bullgaria tani më do të ketë një dialog të avancuar dhe së shpejti uroj që të kemi një zgjidhje të këtij procesi që sa më shpejtë të fillojë hapja e kapitujve.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Komiteti i përzier parlamentar: Vazhdoni me reformat, garantoni lirinë e mediave
 
Përndryshe eurodeputetët inkurajuan vendin që të vazhdojë me reformat, që sipas tyre do të përafrojnë vendin me BE-në. Në sesionin e dytë Komiteti i përzier parlamentar BE-RMV, diskutoi për lirinë e shprehjes, pavarësinë e mediave dhe forcimin e shoqërisë civile. Eurodeputeti, Gordan Bosanac, theksoi se nuk mund të ketë demokraci pa media të lira dhe pa shoqërinë civile.  
 
“Një element i rëndësishëm i demokracisë nuk janë vetëm partitë dhe kuadri institucional. Nuk ka demokraci pa media të lira dhe pa shoqëri civile. Nëse një vend ka probleme me lirinë e mediave dhe shoqërinë civile, atëherë ai nuk duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Problemi është se edhe në BE sot ka sfida në këtë fushë. Disa nga vendet tona anëtare përballen me këto sfida, por ne duhet të fokusohemi gjithmonë në këtë fushë. Jam i shqetësuar për shkak të një tendence të përgjithshme në Maqedoninë e Veriut që vjen nga ShBA-ja, e që është ndalimi i USAID-it.”, - theksoi eurodeputeti, Gordan Bosanac. 
 
Për t’u siguruar funksionimi normal i mediave publike duhet që të miratohet një kornizë politike që do të mbrojë gazetarët në bazë të ligjeve evropiane, deklaroi deputeti, Konstantinos Arvanitis. 
 
“Ne duhet të sigurojmë funksionimin normal të mediave publike, të cilat janë transparente dhe të financuara nga fondet publike. Gjithashtu, duhet të kemi shoqata të pavarura gazetarësh. E dimë se ka media nën ndikim dhe se disa gjëra nuk transmetohen. Qytetarët duan që zëri i tyre të dëgjohet. Problemi në Parlamentin Evropian janë agjentët e huaj. Në Parlament kemi një komitet për mbrojtjen dixhitale, por ka faktorë ekonomikë që mund ta ndryshojnë tërësisht situatën, në varësi të interesave që përfaqësojnë.”, - u shpreh eurodeputeti, Konstantinos Arvanitis. 
 
Përndryshe, Komiteti i përzier parlamentar BE-RMV është themeluar në vitin 2004 në bazë të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Ai paraqet një forum ku anëtarët e Kuvendit të RMV-së dhe Parlamentit Evropian këmbejnë përvoja, mendime dhe qëndrime për përforcimin e partneritetit të ndërsjellë. Komiteti mblidhet dy herë në vit: një herë në Kuvendin e RMV-së dhe një herë në Parlamentin Evropian.
 
ERSAN PAJAZITI