Maqedoni
Rasti "Shutka", caktohen masa kujdesi, nuk ka paraburgim për ish-drejtorin e burgut të Shutkës
28.02.2025 15:51
Pas aksionit policor për rastin "Shutka", gjykatësi ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe ka vendosur masa kujdesi për 10 persona...

Pas aksionit policor për rastin "Shutka", gjykatësi ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe ka vendosur masa kujdesi për 10 persona, duke përfshirë ish-drejtorin e burgut të Shutkës, Filip Andonov- Sokol dhe të tjerët të cilët janë të akuzuar për veprim të paligjshëm dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Këto masa përfshijnë ndalimin e largimit nga vendbanimi, paraqitjen periodike në gjykatë, konfiskimin e pasaportës, ndalimin e kontakteve me të dyshuar të tjerë dhe kufizimin e aktiviteteve profesionale të lidhura me veprën penale.
Toshkovski: Burgu në Shkup ka funksionuar si hotel
Ministri i Punëve të Brendshme theksoi se sipas fakteve të grumbulluara burgu në Shkup ka funksionuar si “shërbim turistik”. Sipas tij, ish-drejtori i burgut dhe disa punonjës e kanë trajtuar burgun si një biznes privat, duke u mundësuar të dënuarve privilegje që nuk u kanë takuar sipas ligjit.
“Shumë procedura kanë qenë të keqpërdorura në aspekt të privilegjeve, të cilat nuk u kanë takuar sipas ligjit. Të gjitha ato privilegje kanë qenë me aminin e strukturave udhëheqëse në kuadër të burgut dhe për atë janë ndërmarrë këto procedura penale. Duhet njëherë e përgjithmonë ky lloj keqpërdorimi i buxhetit të qytetarëve të vendit të ndalet, pasi të gjitha ato shërbime të cilat u janë mundësuar personave të gjykuar, nuk u kanë takuar. Në mënyrë të paligjshme, për 8 deri në 10 orë, i mundësonin ata të shoqërohen nga policia e burgut në lokacione të caktuara, si në shtëpitë e tyre ose në vende të tjera.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Kundër vendimit për caktimin e masave të kujdesit, 10 të akuzuarit kanë të drejtë të bëjnë ankesë para Këshillit Penal, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale – Shkup.
ARMEND MURSELI
