Maqedoni

Mateç: Filloi me punë çerdhja “Valbona 2001”

28.02.2025 17:18

Në fshatin Mateç të komunës së Likovës me një ceremoni rasti edhe zyrtarisht u përurua çerdhja për fëmijë...

Në fshatin Mateç të komunës së Likovës me një ceremoni rasti edhe zyrtarisht u përurua çerdhja për fëmijë, e cila bart emrin e vogëlushes, Valbona Zimberi 7-vjeçare, e cila humbi jetën gjatë bombardimeve gjatë konfliktit të vitit 2001 në Sllupçan. 
 
"Ajo, si gjithë të tjerat, gjatë bombardimit mori plagë të rënda dhe gjatë përcjelljes për në komunën e Likovës, në pamundësi për t’i ofruar ndihmë, u përcoll për në spitalin e qytetit në Shkup. Pas një jave nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe u desh të varroset në varrezat e Kumanovës. Ajo bashkë me luftëtarët, dëshmorët tjerë, u rivarros në vitin 2002 në varrezat e dëshmorëve në fshatin Sllupçan.”, theksoi babai i martires, Valbona Zimberi, Fekret Zimberi.
 
“Sot kemi gëzim, sot kemi një moment emocional, ku çerdhja në mënyrë institucionale mban emrin e martires së kombit dhe mendoj se ky vend ku jemi këtu është vend i sakrificës, vend i krenarisë, sepse në vitin 2001 në këtë vend kanë rënë 14 dëshmorë.”, - u shpreh kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
 
Në fund të theksojmë se kapaciteti i çerdhes është për 117 fëmijë, kurse do të punojë me orar nga ora 07:00 deri në ora 16:30.
 
Ndryshe mjetet për ndërtimin e kësaj çerdhe u siguruan nga Banka Botërore për Zhvillim, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe nga komuna e Likovës. E njëjta filloi të ndërtohet në vitin 2021.
 
FATLUM AQIFI