Botë
Trampi takon Zelenskin sot në Uashington, pritet të nënshkruhet marrëveshja për mineralet
28.02.2025 18:04
Marrëveshja e burimeve minerale është garancia e sigurisë që i nevojitet Kievit...

Marrëveshja e burimeve minerale është garancia e sigurisë që i nevojitet Kievit, siguron Trampi përpara takimit të tij me Zelenskin në Uashington. Në takimin me kryeministrin britanik, Starmer, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se ai fillimisht dëshiron të arrijë një marrëveshje për një armëpushim, përpara se të diskutojë vendosjen e paqeruajtësve në Ukrainë.
Trampi tha se ka respekt të madh për homologun e tij ukrainas dhe nuk beson se e ka quajtur atë diktator.
“Marrëveshja e mineraleve, që të gjithë thanë se ishte e vështirë për t'u arritur, është me të vërtetë shumë e mirë për Ukrainën dhe e mirë për ne. Tatimpaguesit amerikanë tani do të rimbursohen dhe qindra miliarda dollarë do të investohen për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet, gjë që në vetvete është një kauzë shumë më e denjë se çdo mbështetje tjetër që i kemi dhënë vendit tonë.”, - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp.
Starmer i bëri thirrje ShBA-së që të sigurojë një mekanizëm mbrojtës të sigurisë për çdo forcë evropiane që do të ishte pjesë e një misioni të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë.
“Ne pajtohemi që historia duhet të jetë në anën e paqebërësit, jo të sulmuesit. Pra, aksionet nuk mund të ishin më të larta. Ne jemi të vendosur të punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje të mirë.”, - theksoi kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer.
BE-ja thotë se ata duan negociata që do të çojnë në një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, me një Ukrainë të lirë dhe të begatë që mund t'i bashkohet familjes evropiane. Presidenti ukrainas theksoi se suksesi i marrëveshjes do të varet nga bisedimet, duke theksuar se ai dëshiron të dijë se çfarë do të ndodhë me vendin e tij.
“Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara, mbështetja për vendin tonë dhe popullin tonë, garancitë e paqes dhe sigurisë janë vendimtare për të siguruar që Rusia nuk do të shkatërrojë më kurrë jetët e popujve të tjerë. Do të takohem me presidentin, Tramp. Është me rëndësi kritike për mua dhe për të gjithë ne në botë që ndihma amerikane të mos ndërpritet. Forca është thelbësore në rrugën drejt paqes.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Diplomatët amerikanë dhe rusë zhvilluan dje në Stamboll një raund të ri bisedimesh, me qëllim rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Departamenti i Shtetit tha se ata ranë dakord për të mbajtur një takim tjetër në të ardhmen e afërt.
FITORE DEMOLLI
