Maqedoni

Takimi Mickoski dhe Erdogan, nënshkruhet deklaratë e përbashkët, investime kapitale në energjetikë në RMV

28.02.2025 17:41

Forcimi i stabilitetit në Ballkan është një dëshmi e miqësisë së qëndrueshme...

Forcimi i stabilitetit në Ballkan është një dëshmi e miqësisë së qëndrueshme, bashkëpunimit strategjik dhe zhvillimit ekonomik e tregtar midis vendeve të rajonit. Kjo jo vetëm që krijon mundësi për investime turke në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu hap tregun turk për produktet maqedonase.
 
Këto çështje ishin në qendër të bisedimeve midis presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Gjatë takimit, dy liderët nënshkruan një deklaratë të përbashkët politike për krijimin e një Këshilli të Bashkëpunimit në Nivel të Lartë mes qeverive të tyre. Erdogani vuri në dukje se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të forta si Ura e Gurit në Shkup.
 
“Marrëdhëniet tona, të cilat kanë mbushur 30 vjet, janë po aq të forta sa edhe Ura e Gurit në Shkup. Ballkani nuk duhet parë si një arenë konkurrimi midis popujve, përkundrazi,  duhet të jetë një fushë për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët. Një faktor kyç që lidh të dyja vendet është komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut, i cili luan një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.”, - deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, tha se me Turqinë do t’i forcojë edhe më shumë marrëdhëniet dypalëshe dhe se takimi shërbeu si një konfirmim i miqësisë së gjatë, partneritetit të fortë dhe bashkëpunimit strategjik mes dy shteteve në të gjitha sferat. Te presidenti i Turqisë, Erdogan, Mickoski sheh një mik të madh.
 
“Ky takim konfirmon miqësinë tradicionale, partneritetin e fortë dhe bashkëpunimin strategjik midis dy vendeve tona. Bashkëpunimi në sektorin e energjisë përfshin një investim të madh nga një kompani e rëndësishme turke për ndërtimin e termocentraleve të gazit të kombinuara dhe rrjetit të ngrohjes me gaz, me një vlerë prej një miliard dollarësh.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski.
 
Ndërkohë, tregtia midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë arriti në mbi një miliard dollarë vitin e kaluar, ndërsa investimet turke në vend kanë tejkaluar dy miliardë dollarë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU