Botë

Indi, të paktën 47 persona të bllokuar pas shembjes së një masivi akulli në Himalaje

28.02.2025 18:50

Të paktën 47 persona besohet se janë bllokuar pas shembjes së një pjese të një akullnaje në shtetin indian të Uttarakhand...

Të paktën 47 persona besohet se janë bllokuar pas shembjes së një pjese të një akullnaje në shtetin indian të Uttarakhand, në Himalaje, raportojnë mediat lokale. Incidenti ndodhi pranë një autostrade në lagjen Chamoli, më pak se pesë kilometra nga tempulli i shenjtë hindu Badrinath, i cili tërheq qindra mijëra pelegrinë çdo vit.
 
Sipas Niles Anand Bharn, zyrtar i policisë, 57 punëtorë të angazhuar në ndërtimin e rrugëve në këtë zonë malore, pranë kufirit me Tibetin, mbetën të bllokuar pas rrëshqitjes së akullit dhe borës. 10 prej tyre janë shpëtuar dhe transferuar në një kamp pranë fshatit Marna, ku ndodhen në gjendje kritike.
 
Ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi të mëdha për të arritur te punëtorët e bllokuar, për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe terrenit të vështirë malor, raportoi agjencia indiane ANI. Shteti i Uttarakhand është i njohur për rreziqet natyrore, si rrëshqitjet e dheut, ortekët dhe shembjet e akullnajave.
 
Në vitin 2021, një shembje e ngjashme e akullnajës në këtë rajon shkaktoi vdekjen e mbi 200 personave dhe shkatërroi një hidrocentral. Autoritetet lokale dhe forcat e emergjencës vijojnë përpjekjet për të shpëtuar të bllokuarit dhe për të minimizuar dëmet.