Grindje në zyrën ovale mes Trump dhe Zelenskyt

01.03.2025 14:19

Marrëveshja për mineralet mbeti e panënshkruar...

Marrëveshja për mineralet mbeti e panënshkruar, pas fiaskos në Zyrën Ovale, ku presidenti dhe nënpresidenti amerikan, Trump dhe Vance, u përplasën publikisht me Zelenskyn.

Presidenti amerikan Donald Trump nga shtëpia e tij në Florida i dërgoi një porosi të re presidentit të Ukrainës, të jetë i vetëdijshëm se po e humb luftën, sepse nuk i ka letrat e duhura në dorë, duke e akuzuar se nuk dëshiron paqe.

"Ne kërkojmë paqe. Nuk kërkojmë dikë me të cilin të nënshkruajmë që të ndihet i fortë dhe i inkurajuar dhe më pas të mos kërkojë paqe. E kjo po ndodh. Unë kërkoj paqe. Nuk duam një luftë dhjetëvjeçare dhe lojëra. Duam paqe. Më duket se nëse ne vendosim firmën, ai do të kërkojë diçka që ne nuk e kërkojmë. Ai dëshiron të vazhdojë luftën, ndërsa ne duam t’i japim fund, Ai duhet të thotë se dëshiron paqe. Nuk duhet të ulet aty dhe të flasë për Putinin, kështu Putini, e ashtu, vetëm gjëra negative. Ai duhet të thotë se dëshiron paqe, se nuk dëshiron më të luftojë. Populli i tij po vdes, dhe ai nuk i ka letrat e duhura në dorë dhe kjo duhet të kuptohet" – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Zelensky, në përpjekje për të shpëtuar marrëdhënien me kreun e Shtëpisë së Bardhë, në reagimin e parë pas grindjes së ashpër, falënderoi SHBA-të dhe Trumpin për atë që po bëjnë për Ukrainën, duke insistuar sërish për garanci të sigurisë.

"Ajo që ndodhi nuk është e mirë. Marrëdhënia me presidentin Trump mund të shpëtohet. Unë gjithmonë e falënderoj popullin amerikan, sepse bëhet fjalë për marrëdhënie historike midis popujve tanë. E respektoj presidentin dhe e respektoj popullin amerikan, por nuk jam i sigurt nëse kemi bërë diçka të gabuar. Ndoshta disa gjëra nuk duhet t'i kishim diskutuar para mediave, me gjithë respektin për demokracinë dhe median e lirë. Por duhet të kuptohet pozicioni i Ukrainës, çështjet janë shumë të ndjeshme, veçanërisht sa i përket armëpushimit pa garanci sigurie" – u shpreh Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Diplomacia në krizë, tensione në skenën globale

Republikanët u shprehën të kënaqur që Trump tregoi forcë, ndërsa Demokratët e cilësuan atë që ndodhi në Zyrën Ovale si të turpshme.

BE-ja i dërgoi një mesazh inkurajues Kievit dhe Zelenskyt. Me pothuajse të njëjtin qëndrim, liderët evropianë premtuan se do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën – "Nuk jeni vetëm, do të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme."

"Ka një agresor që quhet Rusia dhe një popull që po përballet me agresionin, dhe ata janë ukrainasit. Kemi të drejtë që i kemi ndihmuar Ukrainës dhe që kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë tre vjet më parë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ata po luftojnë për dinjitet, pavarësi, për fëmijët e tyre dhe për sigurinë e Evropës" – tha Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.  

Por jo të gjithë liderët e BE-së ndajnë të njëjtin mendim. Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, falënderoi Trumpin dhe deklaroi: "Njerëzit e fortë bëjnë paqe, të dobëtit bëjnë luftë."

Ndërkohë, ukrainasit shprehin shqetësimin për ndaljen e mundshme të mbështetjes amerikane.

"Trump nuk duket si partneri ynë, ai duket si partner i Putinit."

"Mendoj se Evropa duhet të jetë shumë më aktive në mbështetjen ekonomike dhe ushtarake."

"Pa mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, Ukraina nuk do të mund të përballet me agresionin rus, nuk do të kemi sukses në këtë luftë." – thanë disa banorë ukrainas.

Në Moskë janë të kënaqur me situatën e krijuar në zyrën ovale, në mes Trump dhe Zelenskyt, pasi vlerësojnë se Trump kishte të drejtë kur e paralajmëroi Zelenskyn se po luante bixhoz me një Luftë të Tretë Botërore. (Ersan Pajaziti, TVM2)