Gaza, s’ka përparim me fazën e dytë të armëpushimit

01.03.2025 21:32

Grupi radikal palestinez Hamas...

Grupi radikal palestinez Hamas ka thënë se  nuk ka pasur përparim në negociatat për fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës të premten në Kajro.Një zyrtar i lartë i grupit  palestinez ka shtuar se është e paqartë nëse do të rinisin bisedimet të shtunën për fazën e dytë të armëpushimit.

Faza e parë e armëpushimit, që ndaloi luftën 15-mujore në Rripin e Gazës, mundësoi lirimin e 33 pengjeve, tetë trupave të pajetë në këmbim të lirimit të pothuajse 2.000 të burgosurve palestinezë.

Kjo fazë përfundon të shtunën, por sipas marrëveshjes, luftimet nuk do të rinisin derisa mbahen negociatat për fazën e dytë, faze që mund t’i japë fund luftës në Gazë.

Zyrtarët nga Izraeli, Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, janë përfshirë në negociata për fazën e dytë në bisedimet që mbahen në Kajro dhe që synojnë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura dhe tërheqjen e trupave izraelite.

Hamasi nuk ka marrë pjesë në bisedime, por qëndrimin e përfaqëson përmes ndërmjetësve nga Egjipti dhe Katari.

Në janar, dy palët u pajtuan për një marrëveshje armëpushimi me tri faza, që synon përfundimin e luftës. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)