Kumanovë: “FRI” dhe “Vllaznia” me aktivitete humanitare
Për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit...

Për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe me qëllim për t’u dalë në ndihmë sadopak qytetarëve të rrezikuar nga gjendja e vështirë sociale, edhe gjatë këtij Ramazani, Forumi Rinor Islam në bashkëpunim me Shoqatën Edukative “Vllaznia”, po realizojnë aktivitetin human “Shporta e Ramazanit”, shporta këto me gjëra ushqimore e higjienike, në vlerë prej 1.500 denarëve e të cilat realizohen falë donacioneve të mbledhura në pikat e grumbullimit në qytetin e Kumanovës.
“Projekti që fillon që nga dita e parë e Ramazanit është Aktiviteti “Shporta e Ramazanit”, për të cilën bëj thirrje që qytetarët të angazhohen tek ky aktivitet të cilin e kemi në bashkëpunim me Shoqatën Edukative “Vllaznia”, ndërsa ne ndihmojmë në realizimin dhe aspektin logjistik të shpërndarjes së këtyre shportave ku parashihet të ndihmohen familjet në nevojë e që të mos mbeten jashta normalitetit edhe begatisë së Ramazanit” – tha Kryetari i FRI-Dega Kumanovw, Memedali Limani.
Nga Forumi Rinor Islam, apelojnë deri tek të gjithë qytetarët që të ndajnë nga buxheti i tyre me qëllim që familjeve në nevojë t’ua lehtësojnë këto ditë të vështira ekonomike e sociale.
Përveç aktiviteteve sociale, FRI do të realizojë edhe një sërë aktivitetesh kulturore.
“Viti i kaluar filloi me “Mozaikun Rinor” gjithashtu kemi projektin “Incept” ku i realizuam aktivitetet me nxënësit e shkollave të mesme, mbajtëm trajnime për rreth 6 javë, gjatë këtyre ditëve të rinjët kanë diskutuar tema të ndryshme si tema sociale, tema që ju ndihmojnë në ngritjen e tyre intelektuale dhe përgatijte për sfidat e tyre të ardhshme në jetë. Pastaj shkollën verore që e kemi realizuar, gjithashtu kampingjet që i kemi realizuar brenda FRI” – u shpreh Limani.
Ndryshe, Forumi Rinor Islam në bashkëpunim me Shoqatën Edukative “Vllaznia”, edhe këtë ramazan rajonit tonë do t’i sjellë edhe programe të larmishme kulturore e artistike, si dhe do të organizohen iftare publike në sheshin e Kumanovës dhe në Likovë. (Fatlum Aqifi, TVM2)
