Botë

Franca e Britania: 1 muaj armëpushim në Ukrainë

03.03.2025 10:10

Franca dhe Britania po propozojnë një armëpushim të pjesshëm njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës...

Franca dhe Britania po propozojnë një armëpushim të pjesshëm njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës, që nuk do të mbulonte luftimet në tokë, njoftoi presidenti francez, Emanuel Makron. Armëpushimi do të mbulonte sulmet ajrore, detare dhe të infrastrukturës energjetike.

“Në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej se luftimet përgjatë frontit po respektoheshin.”, tha Makroni.
 
Ndryshe, kjo deklaratë erdhi ndërsa francezi fluturonte për në Londër për një takim me liderët evropianë, të thirrur nga kryeministri britanik, Keir Starmer, për të avancuar përpjekjet në hartimin e një plani paqeje në Ukrainë. Samiti në Londër erdhi dy ditë pasi takimi i presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski, në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, përfundoi në debate të ashpra. Bëhet e ditur se udhëheqësit botërorë i kanë ofruar një mbështetje të fortë udhëheqësit ukrainas dhe premtuan të bëjnë më shumë për të ndihmuar kombin e tij.
 
“Sipas propozimit franko-britanik, trupat tokësore evropiane do të vendosen në Ukrainë vetëm në një fazë të dytë. Nuk do të ketë trupa evropiane në tokën ukrainase në javët e ardhshme.”, tha Makroni.