Rajon

KQZ: Vazhdon numërimi i votave të diasporës

03.03.2025 12:52

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë vazhdon numërimi i votave të diasporës...

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë vazhdon numërimi i votave të diasporës, përkatësisht votave me postë. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, nga 187 vendvotime, janë numëruar 124 prej tyre apo 66.31 për qind.
 
Nga votat e numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 52.72 për qind apo 21 mijë e 234, pason LDK-ja me 29.80 për qind apo 12 mijë e tre vota, e treta radhitet PDK-ja me 7.98 për qind apo 3 mijë e 213 vota, ndërsa e katërta është renditur koalicioni AAK-Nisma me 3. 32 për qind apo 1.338 vota. Me këtë trend të votave të diasporës, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deri në 49 deputetë, PDK 22 apo 23 deputetë, LDK-ja 21 deputetë dhe koalicioni  AAK-Nisma - 8 deputetë.
 
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka falënderuar mërgatën, pasi subjekti i tij rezulton të jetë i dyti nga votat e diasporës, ndërsa thekson se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk është arritur qëllimi final.
 
“Tani që numërimi i votave nga mërgata po i afrohet fundit, e kemi të qartë dhe fotografinë finale të zgjedhjeve tona. Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar. Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë! Por, po, jemi rritur! Dhe atë për plot 70 mijë vota! Si kurrë më parë! Për plot 7 deputetë më shumë! Prandaj kokën lartë!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
 
Pasi të përfundojë numërimi i votave të diasporës, do të vazhdojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta dhe më pas KQZ-ja do të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare.
 
GYLTENE SINANI