Maqedoni

UShKM-ja fillon transformimin digjital

03.03.2025 13:37

Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” do të fillojë transformimin e tij digjital...

Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” do të fillojë transformimin e tij digjital. Planifikohet për më pak se një muaj të fillojë ky proces duke nisur fillimisht me digjitalizimin e shërbimeve të para të studentëve dhe më pas edhe indekset digjitale, të cilët janë më se të nevojshme, që studentët të shmangin pritjet e gjata para sporteleve gjatë paraqitjes së semestrave apo provimeve. Rektorja e UShKM-së, Biljana Angellova, gjatë shënimit të pesëvjetorit të Unionit të Sindikatave të UShKM-së tha se njëkohësisht është duke punuar edhe në përmirësimin e cilësisë së programeve studentore dhe hulumtimeve shkencore.
 
“Së pari do të fillojmë me procesin e digjitalizimit të të gjitha shërbimeve  studentore dhe plani është që deri në fillim të vitit të ri akademik, shërbimet thelbësore të studentëve të jenë tërësisht të digjitalizuara dhe kuptohet që të përfundojmë me indeksin elektronik. Ky është një proces i filluar dhe do të zgjatë dhe parashikimi im është se për një vit e gjysmë do të përfundojë. Prioriteti ynë i dytë është cilësia e arsimit dhe hulumtimeve shkencore.”, - deklaroi rektorja e UShKM-së, Biljana Angelova.
 
Kryetari i Unionit të Sindikatave, Angell Ristov, dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e përshëndesin këtë proces duke treguar qartë angazhimin e madh që po jep Qeveria për të përmirësuar pagat e profesorëve universitarë. Janevska thotë se buxheti i UShKM-së  tani është rritur për 1.5 miliardë denarë më shumë  për dallim nga viti i kaluar. 
 
“Po ndërtojmë partneritet me sindikatat. Përmes dialogut konstruktiv social arritëm që të rrisim pagat në arsimin e lartë. Që nga janari i këtij viti, pjesa më e madhe e punonjësve në universitetet shtetërore kanë rritje të pagave bruto, duke përjashtuar përvojën e kaluar, me mesatare prej rreth 14%. Për një pjesë më të vogël të të punësuarve, rritja është mesatarisht rreth 8%. Buxheti i UShKM-së  këtë vit është rritur për 1.5 miliardë denarë. Nga 2.2 miliardë denarë në vitin e kaluar, këtë vit arriti në 3.7 miliardë denarë.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
“Sindikata ka përgjegjësi  jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e të punësuarve, por ka përgjegjësi edhe për krijimin, progresin dhe avancimin e shkencës  dhe e gjithë kjo është në interes të shtetit dhe të studentëve.”, - u shpreh kryetari i Lidhjes së Sindikatave të UShKM-së, Angel Ristov.
 
Janevska njëherit kërkoi angazhim më të madh të përbashkët të të gjitha palëve relevante për të ndërtuar sistem të arsimit të lartë me programe studimore bashkëkohore dhe për përforcimin e bashkëpunimit me komunitetin akademik në vend dhe jashtë vendit.
 
REXHEP QAMILI