Ekonomi
Lidhja e sindikatave kërkon rritje të rrogave për 6.000 denarë
03.03.2025 14:34
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon rritje të pagës për 6.000 denarë...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon rritje të pagës për 6.000 denarë, që paga minimale në vend të arrijë në 28 mijë e 567 denarë apo mbi 460 euro, nga 22.567 denarë, sa është aktualisht. Nga LSM-ja njëherit propozojnë që punëdhënësit në sektorin privat të mos paguajnë kontribute shtesë për pjesën e rritur të pagës në periudhë prej 12 muajsh.
“Atë që e propozojmë, është që sot deputetët, ashtu siç ishin bashkë për t’i ruajtur shpenzimet e tyre për transport, të votojnë për propozimin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, për rritje shtesë të pagës minimale për 6.000 denarë, që do të thotë edhe rritje shtesë e të gjitha pagave të tjera në Maqedoni. Mendojmë se në këtë mënyrë do të ndihmohet për ngritjen e standardit jetësor të punëtorëve, duke e pasur parasysh rritjen enorme të çmimeve në periudhën e kaluar, që ndoshta është një nga arsyet kryesore që shporta sindikale minimale për një vit u rrit për 6.000 denarë. Po ashtu procesi që zhvillohet për rritjen e rrogave në sektorin publik, me rrogën e marsit, vlerësojmë se qeveria do të ndihmojë edhe punëtorët me rrogat më të ulëta dhe të gjithë punëtorët e tjerë.”, - deklaroi Sllobodan Trendafilov nga LSM.
Sipas Lidhjes së Sindikatave janë pjekur kushtet që partnerët socialë të pajtohen për ngritjen e standardit jetësor të punëtorëve në nivelin që paguhen punëtorët në vendet fqinje. Në vendet fqinje rroga minimale fillon nga 457 euro deri në 800 euro, theksojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
