Botë
Panairi i turizmit në Berlin, Shqipëria, vend nderi mes 190 vendeve pjesëmarrëse
03.03.2025 14:56
Vendi i nderit mes 190 kombeve pjesëmarrëse këtë vit i takoi Shqipërisë...

Vendi i nderit mes 190 kombeve pjesëmarrëse këtë vit i takoi Shqipërisë në një prej panaireve më të mëdha në botë për turizmin, atë të Berlinit në Gjermani. Aftësitë mikpritëse të Shqipërisë, me gjithë ndryshimet dhe arritjet ndër vite i prezantoi në fjalën hapëse kryeministri, Rama.
“Bazuar në kartën e turizmit të Kombeve të Bashkuara deri më tani Shqipëria është vendi më me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë dhe kemi aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë. Kemi qenë Koreja e Veriut e Evropës gjatë jetës sonë dhe të gjithë ata udhëtarë duhet të ishin marksistë leninistë që të hynin në vendin tonë. Sot shifra jonë e fundit nga 2024-ta është 11 milionë udhëtarë që kanë kaluar përmes aeroportit të Tiranës, duke tejkaluar shifrat e Beogradit që ka qenë aeroporti më i madh tipik në rajon në Ballkan.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Nga Berlini Rama njoftoi edhe hapjen e një tjetër aeroporti në Shqipëri, i cili do të jetë sezonal për të përballuar fluksin e muajve të verës.
“Shumë shpejt do të hapim një aeroport të ri që do të menaxhohet nga aeroporti i Munihut. Aeroporti i ri që do të hapim këtë vit është më në jug dhe praktikisht u përgjigjet nevojave të turistëve që shkojnë drejt detit Jon. Kemi një tjetër aeroport në veri që është i vogël dhe po planifikojmë një të katërt në skajin më jugor praktikisht përballë Korfuzit, sepse ka shumë mbingopje të aeroportit të Korfuzit. Ka kërkesë mjaft të madhe për të pasur një aeroport të vogël sezonal në skajin jugor.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ofertën turistike të Shqipërisë pritet ta ndihmojnë edhe linjat direkte ajrore më të reja për të cilat Rama thotë se Qeveria është në diskutime, duke veçuar atë me Shtetet e Bashkuara.
LULJETA NDOKA
