Maqedoni

Interpelanca ndaj Këshillit Gjyqësor, pesë anëtarët dërgojnë përgjigje në Kuvend

03.03.2025 15:15

Pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë dorëzuar përgjigjet e tyre lidhur me interpelancën që para deputetëve do të jetë më 11 mars....

Pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa, Selim Ademi, Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovska dhe Tanja Çaçarovska Ilievska, tani më kanë dorëzuar përgjigjet e tyre lidhur me interpelancën që para deputetëve do të jetë më 11 mars. Përgjigjet e tyre janë në drejtim se interpelanca është kundërkushtetuese dhe kundërligjore.
 
Anëtari, Selim Ademi, në përgjigjen e tij ka shkruar se ai nuk ndjen përgjegjësi as morale e as profesionale dhe se punën e ka kryer në mënyrë profesionale.
 
"Me këtë përzierje të pushtetit legjislativ në punën e gjyqësorit cenohet parimi i garantuar me Kushtetutë i ndarjes së pushteteve. Pra, interpelanca nuk është vetëm një tentativë për diskreditim personal apo profesional, por edhe një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit në tërësi.", ka shkruar Ademi.
 
Në të njëjtën vijë është edhe anëtari, Milazim Mustafa, i cili deklaron se më përgjegjësi e ka kryer funksionin e tij.
 
"Kjo interpelancë e pabazë dhe paushallë nuk është një tentativë për diskreditimin tim personal dhe profesional, por gjithashtu një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit në tërësi.”. ka shkruar Mustafa.
 
Ish-kryetarja, Vesna Dameva, ka shkruar se doktrina juridike nuk njeh përgjegjësi kolektive, por se përgjegjësia duhet të jetë individuale.
 
"Secili është përgjegjës për atë që e ka vepruar dhe përgjegjësia e tij duhet të vërtetohet në procedurë dhe në mënyrë të paraparë me Kushtetutë dhe në bazë të dëshmive të shpalosura në procedurë.", ka shkruar Dameva.
 
Pavlina Cërvenkovska ka theksuar se deputetët nuk duhet të përzihen në pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
 
"Këshilli Gjyqësor i RMV-së ka pavarësi individuale dhe institucionale, që është e garantuar me Kushtetutë dhe nëse në rastin konkret shkelet, do të paraqesë precedent serioz.”, ka shkruar Cërvenkovska.
 
Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Tanja Çaçarova Ilievska, ka shkruar se interpelanca duket shumë e përgjithshme, konfuze dhe kolektive.
 
"Me çdo ndryshim të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv, përmes interpelancës të bëhen ndryshime personale në pushtetin gjyqësor, me presion direkt ndaj anëtarëve të caktuar të pushtetit gjyqësor, që të  tërhiqen pa u mbaruar mandati, pa u vërtetuar përgjegjësi profesionale apo etike në suaza të parapara me ligj dhe para organeve kompetente.", ka shkruar anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Tanja Çaçarova Ilievska.
 
Pas interpelancës së dorëzuar nga deputetët e shumicës, kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi që nëse interpelancat kalojnë, pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të dorëzojnë dorëheqjen. Disa prej tyre thanë se nuk planifikojnë të japin dorëheqje, ndërsa të tjerë thanë se fillimisht do të presin rezultatin e interpelancës.
 
FLORIJE KAMBERI