Maqedoni

LSDM, VMRO-DPMNE dhe VLEN kundër kërkesës së BDI-së për zgjedhje

03.03.2025 15:39

Partitë në pushtet, por as LSDM-ja opozitare nuk e mbështesin kërkesën e BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare...

Partitë në pushtet, por as LSDM-ja opozitare nuk e mbështesin kërkesën e BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokale, që pritet të mbahen në tetor të këtij viti. Sanja Llukarevska nga LSDM thotë se BDI fillimisht duhet të pranojë se është në opozitë dhe të kuptojë se nuk është në gjendje të vendosë kushte.
 
“Qëndrimi i paraqitur nga BDI për momentin do të thotë se duhet përfundimisht të kuptojnë se janë në opozitë dhe të veprojnë si parti opozitare, të japin qëndrime të tyre për çështje kyçe dhe kur të vijë koha adekuate do të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Për momentin, ata nuk janë në gjendje për të vendosur kushte dhe të diktojnë ritmin e veprimeve politike në shtet.”, - deklaroi Sanja Llukarevska nga LSDM.
 
Edhe nga VMRO-DPMNE thonë se BDI nuk është faktor për të insistuar për zgjedhje të parakohshme.
 
“Jemi të fokusuar në zgjedhjet lokale. BDI mund të thërrasë për çfarë të dojë, megjithatë BDI tashmë nuk është asnjë faktor në shtet për të thirrur për bojkot ose diçka tjetër. Kishin mundësi për mbi 20 vjet të bëjnë shumë punë për shtet, por fatkeqësisht nuk arritën t’i bëjnë, kështu që, siç thashë ne jemi të fokusuar për realizim të programit tonë si Qeveri.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Ndërsa nga VLEN-i theksojnë se BDI po përgatit terrenin për bojkot të zgjedhjeve lokale.
 
“Kjo është karta e tyre e fundit, për shkak se e dinë se shqiptarët tashmë nuk u besojnë. Vetë Ali Ahmeti pranoi nga Likova: BDI përgatit terren për bojkot të zgjedhjeve lokale! Çfarë do të thotë kjo? Se BDI nuk ka as ide, as program, as njerëz të rinj, vetëm frikë nga shantazhe. A është Artan Grubi, autori i skenarit për bojkot të zgjedhjeve lokale?!”, pyesin nga VLEN. 
 
Lideri i integristëve, Ahmeti, në takimet e kësaj partie me qytetarë ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në tetor bashkë me zgjedhjet lokale. Njëherit ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve, nëse cenohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe.  
 
MERAL ISMAILI