Botë

Samiti në Londër për Ukrainën, Franca dhe Britania po punojnë për një plan paqeje

03.03.2025 15:55

Samiti i fundit në Londër ka rikthyer në qendër të vëmendjes përpjekjet ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë....

Samiti i fundit në Londër ka rikthyer në qendër të vëmendjes përpjekjet ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe aleatët po hartojnë një plan të ri paqeje, e cila do t’i prezantohet Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë vazhdojnë të rriten. Në samitin në Londër u ra dakord për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Kievin dhe për shtimin e presionit ekonomik ndaj Rusisë. Sipas Ministrisë së Jashtme franceze, Evropa duhet të jetë e aftë të sigurojë mbrojtjen dhe sigurinë e saj, pa qenë e varur nga ShBA-ja.

"Për t'i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë duam që ShBA-ja të ushtrojë presion mbi Putinin që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të ndalë ambiciet e tij imperialiste. Po ashtu, Evropa nuk duhet të gjendet më kurrë në një situatë ku varet nga të tjerët për mbrojtjen e saj.", - deklaroi ministri i Jashtëm i Francës, Jean Noël Barrot.
 
Kremlini: Mbështetja për Kievin, vazhdim i luftës
 
Nga Kremlini thonë se mbështetja për Kievin nuk nënkupton paqe, por luftë.
 
"Premtimet e liderëve evropianë për rritjen e financimit për Kievin nuk janë për një plan paqeje, por për të zgjatur luftimet.", - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
 
Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit, Rubio, theksoi se paqja mund të arrihet vetëm nëse Putini merr pjesë në negociata.
 
"Rruga e vetme për t'i dhënë fund luftës është që Vladimir Putini të ulet në tryezën e bisedimeve. Presidenti Tramp është i vetmi që ka mundësi ta sjellë atë atje.", - u shpreh sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
 
Presidenti ukrainas, Zelenski, shpreson të rikthejë marrëdhëniet me Trampin pas debatit të ashpër dhe është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për metalet e rralla, nëse ShBA-ja është e gatshme.
 
"Na duhet paqe, jo luftë e pafund. Garancitë e sigurisë janë çelësi. Evropa do të bashkojë qëndrimet e saj dhe do t'ia prezantojë ato partnerëve tanë në ShBA.", - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar ndalimin e operacioneve kibernetike kundër Rusisë për të rifilluar marrëdhëniet me Moskën dhe për të arritur një marrëveshje për paqen në Ukrainë. 
 
ARMEND MURSELI