Botë

Sulme izraelite në Gazë, dy të vdekur dhe tre të plagosur

03.03.2025 16:39

Të paktën 2 persona kanë humbur jetën, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit të hapur dhe sulmit ajror të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës..

Të paktën 2 persona kanë humbur jetën, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit të hapur dhe sulmit ajror të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Si pasojë e zjarrit të hapur në qytetin Rafah kanë humbur jetën 2 palestinezë, ndërsa një sulm ajror është kryer ndaj qytetit Kan Junis. Ndërsa tre persona u plagosën në një sulm ajror të ushtrisë izraelite në një zonë të qytetit Kan Junis. Që nga 19 janari, kur hyri në fuqi armëpushimi, në shkeljet e vazhdueshme të Izraelit kanë humbur jetën 116 palestinezë, ndërsa 490 të tjerë janë plagosur, njoftojnë autoritetet në Gazë.
 
Sulm me thikë në Haifa të Izraelit, një i vdekur dhe katër të plagosur
 
Ndërkohë njoftohet për një sulm me thikë në qytetin verior të Izraelit, Haifa, ku të paktën një person humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën ndërsa autoritetet izraelite njoftuan se sulmuesi është vrarë. Sulmi me thikë, të cilin policia e trajton si një sulm të militantëve, ndodhi në një stacion autobusi. Një roje sigurie dhe një qytetar neutralizuan sulmuesin, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i njohur.
 
OKB dhe Gjermania kundërshtojnë pengimin e ndihmave në Gazë
 
OKB dhe Qeveria gjermane kanë kundërshtuar vendimin e Izraelit për të ndërprerë dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës. Vendimi u prit me "shqetësim të madh", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane.
 
"Lejimi ose moslejimi i qasjes te ndihma humanitare nuk është një mjet legjitim në negociata.", - thekson zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane.
 
Ndërsa koordinatori i OKB-së për Ndihmë Emergjente, Tom Fletçer, tha se OKB-ja dhe partnerët e saj patjetër duhet të kenë qasje te njerëzit, në mënyrë që ata të mund të ofrojnë mbështetje jetike. E drejta ndërkombëtare humanitare është e qartë në këtë rast.
 
Si argument për një vendim të tillë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka theksuar se Hamasi kishte vjedhur ndihmat dhe po i përdorte ato "për të financuar makinën e tyre terroriste". Kryeministri izraelit po ashtu akuzoi grupin palestinez për refuzimin e një propozimi të ShBA-së për të zgjatur armëpushimin në Rripin e Gazës pas përfundimit të fazës së parë të saj të shtunën. Sipas Netanjahut, Izraeli ra dakord me propozimin amerikan.