Rajon
Kurti nuk u paraqit në Prokurori, thotë se Prokuroria po e lufton Qeverinë, jo krimin
04.03.2025 12:18
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurori, pavarësisht urdhrit nga Gjykata Themelore në Prishtinë...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurori, pavarësisht urdhrit nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Nga një aktivitet në Gjilan, ai ka përsëritur qëndrimin se nuk refuzon të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, por kërkon që prokurorët të shkojnë në zyrën e tij. Kurti njëherit akuzon Prokurorinë se më shumë është e interesuar ta luftojë Qeverinë se sa krimin e korrupsionin.
“Shtrohet pyetja pse i humb Prokuroria tre muaj. Për shkak se është më shumë e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria e shtetit në Kosovë nuk ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar Qeverinë dhe jo krimin e korrupsionin. Unë jam gjithmonë i gatshëm edhe i interesuar që të dëshmoj.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër që obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa të Prokurorisë muajt e fundit. Por, kryeministri i Kosovës thotë se kjo intervistë ka mundur të realizohet që në dhjetor. Nëse prokurori e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë e tij, ai do të shkonte në zyrën e kryeministrisë për ta intervistuar, ka thënë Kurti, duke rikujtuar se praktika të tilla ka pasur në të kaluarën me ish-kryeministrat.
GYLTENE SINANI
