Ekonomi
Faturat e larta të energjisë, qytetarët parashtruan 15 mijë ankesa
04.03.2025 13:40
Në periudhën nga 24 dhjetori deri më 25 janar në EVN Home janë pranuar 15.000 ankesa nga qytetarët për fatura të larta...

Në periudhën nga 24 dhjetori deri më 25 janar në EVN Home janë pranuar 15.000 ankesa nga qytetarët për fatura të larta, bëjnë të ditur nga Ministria e Energjetikës, por vetëm 15% i këtyre raportimeve janë rishikuar, ndërsa për pjesën tjetër është konstatuar se nuk kanë bazë, pasi vlera e llogarisë ka qenë e përshtatshme me konsumin aktual.
“Ministria dhe KRrE-ja monitorojnë vazhdimisht të gjitha procedurat dhe insistojnë në transparencë të plotë nga të gjitha palët e përfshira. Si masë shtesë po zhvillohen aktivitete për aktivizimin e pajisjeve moderne për kontrollimin e njehsorëve në Byronë e Metrologjisë, të cilat do të mundësojnë verifikimin dhe kontrollin shtesë të pavarur të orëmatësve, pas ankesës së konsumatorit, në një institucion shtetëror. Kjo do të kontribuojë në transparencë, drejtësi dhe kontroll shtesë.”, theksojnë nga Ministria e Energjetikës, duke shtuar se ministria nuk ka autoritet të drejtpërdrejtë për çmimet dhe faturimin e energjisë.
Sipas ligjit, EVN Home është e detyruar t’i lexojë orëmatësit çdo tre muaj për t’u siguruar që të dhënat janë të sakta. EVN Home bën të ditur se rreth 85% e njehsorëve lexohen çdo muaj. Megjithatë, ka njehsorë që vendosen në pronën e përdoruesve dhe të cilët nuk mund të lexohen nëse përdoruesi nuk është i pranishëm. 15% e orëmatësve, përfshi edhe ato të paarritshëm, në zona të caktuara rurale lexohen dy herë në vit. Por, inxhinierët e vendit kërkojnë që Komisioni Rregullator i Energjetikës të bëjë ndryshime të rregullave për furnizim me energji elektrike dhe të vendosë lexim të detyrueshëm mujor të njehsorëve.
“KRrE-ja ka obligim të mbrojë të drejtën e konsumatorëve për pagesë të drejtë sipas konsumit aktual të energjisë elektrike. Leximi duhet të bëhet çdo muaj, siç parashikohet për të gjitha kategoritë e tjera të lidhjeve në sistemin tarifor të shpërndarjes.”, thuhet në kumtesën e inxhinierëve.
Në janar një pjesë e madhe e amvisërive kanë marrë fatura tejet të larta për energji elektrike. Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës kanë kërkuar që EVN Home t’i korrigjojë faturat ku janë bërë lëshime në dëm të qytetarëve.
BELINDA KOKA ADEMI
