Rajon
Incidente në Kuvendin e Serbisë, tre deputete të lënduara, një më rëndë
04.03.2025 14:04
Gjendje kaotike në Kuvendin e Serbisë, ku pati incidente – përleshje dhe gaz lotsjellës....

Gjendje kaotike në Kuvendin e Serbisë, ku pati incidente – përleshje dhe gaz lotsjellës. Incidenti ndodhi, pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë, të cilin opozita e kundërshtoi pasi kërkoi që në rend dite të jetë vetëm Ligji i arsimit të lartë, pasi vlerëson se Qeveria që ka shpallur dorëheqjen nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme. Deputetët opozitarë hodhën mjete piroteknike dhe shpalosën edhe një pankartë ku shkruhej: “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Pavarësisht kaosit, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, refuzoi ta shtynte seancën.
"Kuvendi popullor i Republikës së Serbisë do të vazhdojë të punojë. Ne kemi punë për të bërë për qytetarët e Republikës së Serbisë.", - deklaroi kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq.
Bërnabiqi njëherit bëri të ditur se deputetja e koalicionit qeverisës, Jasmina Obradoviq, "pësoi goditje në tru" pas incidentit në Kuvend dhe se është "në rrezik për jetën". Ajo tha se edhe dy deputete të tjera janë lënduar. Para ndërtesës së këtij institucioni u mblodhën edhe studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët paraprakisht nderuan 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad, duke bllokuar për 15 minuta një udhëkryq aty pranë.
Bërnabiqi pretendon se është arritur marrëveshje me përfaqësuesit e të gjitha universiteteve shtetërore për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe se me këtë do të përmbushet kjo kërkesë e studentëve. Qeveria pretendon se janë plotësuar edhe kërkesat e tjera të studentëve. Por, studentët kanë thënë se protestat e tyre do të vazhdojnë derisa të konstatohet nëse kërkesat janë plotësuar.
REXHEP QAMILI
